E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Partia e Topit e themeluar mbi tradhtinë, s’mund të ketë asnjë të ardhme

04-11-2011 / Gazeta 55

Në një intervistë të posaçme për TvKlan, kryeparlamentarja Jozefina Topalli e klasifikon përpjekjen për krijimin e një partie të re të presidentit si një imoralitet institucional si dhe tradhti për demokratët dhe të djathtën. Ajo kujtoi historikun e besëprerjeve të Bamir Topit ndaj PD-së, qysh më 1998-n, ndërkohë që e klasifikoi 21 janarin si kulminacionin e kësaj tradhtie

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli u shpreh dje gjatë intervistës në “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, se Bamir Topi dhe Edi Rama, janë në aleancë me njëri-tjetrin, që prej zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Nënkryetarja e Partisë Demokratike renditi një seri faktesh dhe provash, që tregojnë se Bamir Topi është investuar kundër Partisë Demokratike. Ajo përmendi një fakt të pa njohur më parë se si Bamir Topi, ka refuzuar në momentin e fundit ofertën e paraqitur nga PD, për të kandiduar në bashkinë e Tiranës, gjatë zgjedhjeve lokale të 2007-ës. “Pasi i kishim paraqitur ofertën në tavolinë, në momentin e fundit z.Topi na komunikoi se s’do kandidojë për bashkinë e Tiranës”- u shpreh ajo. Znj. Topalli ngriti pyetjen se pse z.Topi ka qenë gjithnjë i respektuar në PD, edhe pse s’kishte dhënë atë që duhej, apo që minimalisht pritej. Sipas saj, Bamir Topi është mbështetur fuqishëm nga Sali Berisha, që të ngjiste shkallët e karrierës, deri në President të Republikës. “Ishte z.Berisha ai që e bëri president, me përpjekjet e tij maksimale. Unë vetëm kam shuar një votë brenda grupit të mazhorancës. Kryeministri Berisha e donte aty. Ishte koha që nëse nuk zgjidhej presidenti, për shkak të kushtetutës së atëhershme, rrezikonim zgjedhjet e parakohshme, nëse shkonim në zgjedhje atëherë do të humbisnim mundësinë për integrimin e vendit në NATO”- tha ajo.
Kryeparlamentarja Topalli vuri në dukje se pikë së pari z.Topi ka probleme me parlamentin dhe kushtetutën e vendit, të cilën e shkelur disa herë. “Zoti Topi ka patur probleme me parlamentin. Ka patur probleme me kushtetutën. Ai nuk ka pranuar asnjëherë që të komunikojë me parlamentin. Në cilin vend të botës ndodh kjo?
Çfarë ka sjellë zoti Topi me dekretet që ka kthyer në Parlament? Ai s’është konsultuar kurrë me parlamentin. Ishin dekrete që sillnin konflikt në parlament. Kushtetuta ka një detyrim për presidentin, si personi që unifikon kombin, qëndron mbi palët. Mbi bulevardin dëshmorët e kombit, godina 1, duhet të ishte shtëpia e të gjithë shqiptarëve. Por, nuk ka patur asnjëherë, përveç vizitës së kryetarit të asamblesë së KiE-së, kur i tha “mblidh mazhorancën dhe opozitën në tryezë të përbashkët”. Ky ka qenë hapi i vetëm i Bamir Topit, për të unifikuar palët politike”- theksoi Topalli. Duke iu referuar themelimit të partisë së re nga Bamir Topi, Topalli tha se “ajo do jetë një “parti-tradhëti””. “Lidhur me lëvizjet e tij të fundit, mund të them se partia e tij, do të jetë një parti tradhti. Unë e them me keqardhje se presidenti ka shkatërruar Presidencën. Partia që vjen nga tradhtia, është treguesi më i shëmtuar. Unë e kam parë në 2009-ën Topin në bashkëpunim me Edi Ramën, kundër Sali Berishës. U pa edhe vota e tij më 8 maj. Nuk kishte ditë më të zezë për ne. Unë kam një bindje të plotë se z.Rama s’do të kishte organizuar kurrë 21 janarin, pa patur mbështetjen e z.Topi. unë nuk kam patur kurrë konflikt personal me z.Topi, por ai konfliktin e ka me veten e tij. Ai duhet të japë llogari se çfarë interesash e lidhin me z.Rama. Një i djathtë që vë firmën mbi ligjin e ‘lustracionit’, është e paimagjinueshme”- tha ajo. Znj.Topalli u ndal edhe në zgjedhjen e krerëve të disa institucioneve gjatë viteve me radhë. Sipas saj, propozimi i Ina Ramës për kryeprokurore të Republikës, erdhi nga Bamir Topi, ndërsa kandidimi i Alfred Moisiut në 2002-shi, ishte një propozim konsensual mes mazhorancës dhe opozitës së asaj kohe. Përsa i takon rrëzimit të dekretit të Topit për kreun e KLSH-së, Topalli tha se Sali Shehu nuk ishte kandidatura e denjë për një institucion aq të rëndësishëm.
Gjithashtu Topalli foli për sukseset e qeverisë në mandatin e dytë të saj. Kryetarja e Kuvendit përmendi si suksese të mazhorancës liberalizimin e vizave me vendet e Bashkimit Evropian, rritjen e pagave dhe pensioneve, apo edhe ndërtimin e 8 mijë km rrugë. Ajo shprehu besimin se edhe në 2013-ën, shqiptarët do t’i besojnë votën e tyre vizionit të kësaj mazhorance për ndërtimin e Shqipërisë së zhvilluar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›