Program-qitapi i Ramës, një bllof politik
Ish-presidenti i Republikës dhe ish Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Rexhep Meidani, pa iu dridhur qerpiku dhe pa qime në gjuhë, u shpreh se premtimi i kreut të PS-së për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës është thjeshtë një mashtrim. Profesori socialist zbërtheu në një analizë objektive “mashtrimin qiellor” të pohimit programor të propozuar nga Edi Rama, çka sipas tij, i la “një shije të hidhur”, sepse ky dokument është “pa ndonjë “matematikë” konkrete”. Analiza e Prof. Medianit është serioze dhe objektive: duke përllogaritur me shifra mundësinë e punësimit në sektorin privat, Meidani thotë se duhen të paktën 3 deri në 4 miliardë euro për të arritur një nivel të tillë punësimi, çka përfshin një buxhet të tërë vjetor të qeverisë. Sipas Meidanit, ky premtim ka ardhur pa asnjë studim shkencor apo/dhe prognozë serioze specialistësh të fushës makroekonomike. Krahas argumentimit që paraqet z. Meidani për të quajtur premtimin e Ramës për hapjen e 300 mijë vendeve të punës një mashtrim, ne, do të shtoja dhe faktin që Edi Rama ishte mbi 11 vjet kryetar bashkie i Tiranës, qyteti më problematik për punësim, dhe numri i të papunëve vetëm u shtua gjatë asaj periudhe. Afërmendsh Rama ka provuar që nuk është i aftë të zhvillojë politike punësimi. Gjithashtu programi politik i Ramës ishte një inventar fjalës dhe shifrash për t’u hedhur hi syve gazetarëve dhe militantëve. Në thelb qitapi i kursit të ri është një bllof politik që PS-ja paraqet për të fshehur kundërthëniet strukturale që ka brenda saj. Parashtrimi “kurs i ri” ishte një narkotizues për mendimin ndryshe që ka filluar të lëvizë me liderin e saj të ri, Arben Malaj. Islami dhe Harasani, Meidani etj., kanë dalë hapur kundër drejtimin pa vizion të Ramës, i cili nga ana tij pret t’i godasë përgjatë Kongresit socialiste të nesërm, 5 nëntor. Nga të gjithë kundërshtarët brenda PS-së, vetëm Arben Malaj ka folur dhe ka propozuar që të ndahet më qartë nëse ky është program qeverisës apo politik. Deputeti jurist Damian Gjinknuri ka thënë se është partiak dhe jo qeverisë. Ka shumë kundërthënie brenda radhëve të opozitës. Edhe deputetët si Malaj që kanë një largpamësi politike, Rama ka tentuar herë pas here t’i frikësojë, nëpërmjet deklaratave të urdhëruara të Olta Xhackës apo Fatmir Toçit, për ta përjashtuar nga Partia Socialiste zërat ndryshe. Përsa i përket thelbit Rama e ka ndërtuar profilin e tij politik mbi autoritarizmin personal dhe nuk mund të mendohet se do të ndryshojë ndonjëherë për hir të ruajtjes se postit të tij në krye të PS-së; afërmendsh duke qenë autoritar vetiu e ka të vështirë të bashkëpunojë, gjë që e çon në përqendrim pushteti, injorim forumesh, të pakënaqur, konflikte të brendshme, e përjashtime dhe rrjedhje nga PS-ja. Kështu që, kjo force politike, me Ramën në krye do të jetë në një dobësim të vazhdueshëm. Përkundër me të gjitha vështirësitë që sjell recesioni global i ekonomisë botërore, qeveria Berisha, sipas programit të saj“Shqipëria po ndryshon”, pothuajse e ka kompletuar në prag të 100 vjetorit Shtetin Shqiptar, me infrastrukturë strukturore, si rrugë, telekomunikacione, energji të rinovueshme, ujë të pishëm, përmirësim dhe forcim të institucioneve Kushtetuese gjë që ka krijuar mundësinë për një zhvillim me ritme të larta. Afërmendsh punësimi i popullsisë vetiu është një ndër prioriteteve të çdo qeverie.
...