E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Pas zgjedhjeve të lira, tani heqja e vizave

Shqipëria pasi realizoi zgjedhje të lira duke arritur standardet e duhura, tashmë është në një fazë të re, atë të heqjes së vizave dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE. Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Balázs, konfirmoi dje mbështetjen e vendit të tij për lëvizjen e lirë, por edhe për një progres sa më të shpejtë të Shqipërisë në BE. Në takimin me kryetaren e Kuvendit, ai vlerësoi përpjekjet e Parlamentit dhe institucioneve shqiptare për demokraci e shtet ligjor. Kryetarja e Kuvendit përmendi se për Shqipërinë, Hungaria, është jo vetëm një vend mik, anëtar i BE-së dhe NATO-s, por edhe një vend që ka ndërmarrë një rol aktiv për vendet e Ballkanit Perëndimor. Parlamenti hungarez ishte i pari që votoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe për kryetaren e Kuvendit mbetet shumë e vyer ndihma dhe mbështetja e pakursyer deri në integrimin e plotë në strukturat e Aleancës e në vijim. Ajo vlerësoi edhe konferencat e shpeshta rajonale të zhvilluara në Hungari, në mbështetjen të integrimit euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi veprimtaritë e grupeve parlamentare të miqësisë mes dy vendeve tona, që ka ndikuar pozitivisht në drejtim të thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar. Parlamenti hungarez është kthyer si një shtëpi e dytë për ne, për deputetë, por dhe administratën tonë në shkëmbimin e përvojës, - tha ajo. Topalli shtoi se pas zgjedhjeve të 28 qershorit, që u certifikuan ndërkombëtarisht si më të mirat e që përmbushën standardet, Shqipëria ndodhet në një fazë të re. Presim opinionin e KE-së për statusin e vendit kandidat në BE si dhe heqjen e vizave brenda një kohë të shkurtër. Në fazën ku nga ana jonë janë përmbushur detyrimet për heqjen e vizave, ne besojmë fort te mbështetja e vendeve mike si Hungaria për finalizimin sa më shpejt të kësaj ambicieje. Topalli informoi se Kuvendi ka miratuar një sërë ligjesh të rëndësishme që lidhen me heqjen e vizave, por edhe me afrimin me BE-në, paralelisht duke lobuar përmes diplomacisë parlamentare. Nga ana e tij, ministri Balázs tha se Hungaria është e gatshme që të jetë krah Shqipërisë me ekspertizën e saj për përshpejtim të proceseve integruese.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›