E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, Meta: Nuk jemi në garë me vendet e tjera

Shqipëria shpreson të përfitojë sa më shpejt nga procesi i vizave dhe e bindur se nuk është në garë me asnjë vend tjetër për sa i përket procesit të liberalizimit. Këtë pikëpamje përforcoi dje qeveria shqiptare përmes ministrit tonë të Jashtëm Ilir Meta, i cili vuri në dukje se Shqipëria nuk do të pranojë asnjë vlerësim si paketë me Bosnje-Hercegovinën, por në mënyrë individuale. Gjatë takimit të djeshëm me ministrin e Jashtëm hungarez, Péter Balázs, ministri Meta në mënyrë të prerë u shpreh: Ne nuk jemi në garë me askënd. Ai vuri në dukje se objektivi i qeverisë shqiptare ka qenë, është dhe do të jetë plotësisht i realizuar, plotësimi i gjithë kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Ne kemi përshëndetur dhe ka qenë hap pozitiv liberalizimi i vizave për tri vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe ne do të donim sa më shpejt që kjo gjë të ndodhë edhe me Bosnjën, natyrisht dhe sa më shpejt të jetë e mundur edhe për Kosovën, në mënyrë që çështja e liberalizimit të vizave të zgjidhet njëherë e mirë për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, - theksoi z. Meta. Para dy ditësh, Kryeministri Sali Berisha deklaroi nga Brukseli se Shqipëria kërkon që të vlerësohet për arritjet e saj për sa i përket plotësimit të kushteve për liberalizmin e vizave dhe jo në paketë me Bosnjën. Gjithsesi, vendi ynë ka mbështetjen e Budapestit për procesin e liberalizimit të vizave, garanci që iu dha kryediplomatit Meta nga homologu i tij hungarez Péter Balázs. Vendimi për liberalizimin e vizave merret nga 27 vendet anëtare të BE-së. Duhet thënë se Shqipëria ka bërë përparime në plotësimin e kushteve të kërkuara. Tashmë nevojitet të merret miratimi i vendeve anëtare për sa i përket menaxhimit të kufijve. Pas Presidencës spanjolle radha është e Belgjikës dhe në fillim të vitit të ardhshëm kryesimin e merr Hungaria. Ne do ti mbajmë sytë hapur dhe nëse kjo çështje nuk është zgjidhur deri atëherë, ne do të bëjmë që vizat për Shqipërinë të hiqen, - u shpreh z. Balázs. Përveç diskutimit për çështjen e heqjes së vizave, Shqipëria dhe Hungaria nënshkruan dje një marrëveshje që synon një tjetër dimension në marrëdhëniet ekonomike, krahas protokollit të bashkëpunimit. Ministri i Jashtëm Ilir Meta pas takimit me homologun e tij hungarez, Péter Balázs, i përkufizoi marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera. Madje, Meta jo rastësisht përmendi se Mbretëresha e parë shqiptare, Geraldina, është me origjinë hungareze. Hungaria ka një influencë të madhe ekonomike në vendet e Ballkanit.. Pas takimit me ministrin e Jashtëm Meta, kryediplomati hungarez u prit edhe nga Presidenti Bamir Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›