E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qindra protestues para ambasadës greke

Protestuesit e cilësuan Greqinë si turpin e BE-së dhe kërkuar që shteti shqiptar mos lejojë cenimin e identitetit



TIRANË - Thirrjet raciste të ushtrisë greke kanë shkaktuar reagim dhe zemërim tek një pjesë shumë e madhe e qytetarëve shqiptarë deri sa qindra prej tyre u mblodhën paraditen e djeshme përpara ambasadës greke në një protestë paqësore të organizuar. Protesta u thërrit nga Partia Drejtësi dhe Unitet, Klubi i Patriotëve të Rinj, organizata "Mjaft", "Tifozat Kuqezi" dhe disa organizata të tjera, si reagim ndaj videos së turpit që u xhirua gjatë paradës së ushtrisë greke në Athinë.

Ndryshe nga ushtarët grekë, duke treguar një qytetari që duhet marrë si shembull nga Greqia, protestuesit u mblodhën duke kënduar himnin kombëtar dhe këngë patriotike, me parulla mbi çështjen çame dhe mbi të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Ata protestuesit kërkuan nga qeveria greke që të dënojë këto akte, si edhe nga qeveria shqiptare që të kërkojë ndëshkim të rreptë dhe të drejtë për aktet raciste.
Teksa grekët kërkonin vrasjen e shqiptarëve, protestuesit e djeshëm kanë dalë me parullat, "O sa mirë me kenë shqiptar" dhe "Greqia, turpi i Europës". "Shteti grek të distancohet nga këto akte që nuk i shkojnë një shteti anëtarë të BE-së. Bëjmë një notë proteste shtetit tonë që të mos lejohet të cenohet identiteti", - thanë protestuesit.
"Jemi të shokuar nga demonstrimi i hapur racist i ushtrisë greke përballë institucioneve më të larta të vendit fqinj. Tonet ksenofobe dhe thellësisht fyese të forcave ushtarake helene janë dëshmi e qartë e një racizmi të skajshëm që manifestohet jo vetëm ndër individë e grupime të shkëputura të shoqërisë greke, por tashmë në formë të organizuar në rang institucional. E bën këtë ngjarje edhe më skandaloze fakti që forcat ushtarake të një anëtari të NATO-s i drejtohen me kërcënime makabër vendeve partnere të aleancës. Në këtë çast të rëndë, ne nuk mund dhe nuk duhet të mjaftohemi me shkarkime selektive në radhët e ushtrisë dhe as me deklarata formale në nivel ambasadorësh. Është e domosdoshme që më së pari, vetë autoritetet më të larta të shtetit fqinj të shprehen qartazi dhe pa ekuivok për këtë çështje, si dhe të ndëshkojnë fajtorët sipas ligjeve në fuqi", - thanë dje pas protestës përfaqësuesit e lëvizjes MJAFT.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi u shpreh se ky manifestim u krye për të shprehur indinjatën e thellë për këtë gjest të shëmtuar. "Shprehim indinjatën tonë të thellë për gjestin e shëmtuar i cili nuk i shërben marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Gjesti vjen në një ditë, si dita e pavarësisë së Greqisë, kur ne nuk e prisnim, por prisnim një falënderim për çamët që ishin në krye të luftës për pavarësinë e Greqisë, si Marko Boçari, Kiço Xhavella, e të tjerë. Ne i kërkojmë qeverisë greke të distancohet nga aktet e përsëritura. Qeveria shqiptare, në mënyrë të qartë të mbajë qëndrim dhe të kërkoj shpjegim. I kërkojmë presidentit Topi, kryeministrit Berisha dhe të gjithë forcave politike të ruajnë identitetin shqiptar dhe të hapin në tryezën e bisedime çështjen çame", - deklaroi Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›