E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Piramida shembet,e pamundur të përshtatet

TIRANE-Kryetarja e Kuvendit në intervistën e dhënë për emisionin “Pesë pyetjet nga Babaramo” në “News 24”, u shpreh dje se nëse do të kishte qenë kryeministre e vendit nuk do t’i kishte ofruar opozitës ato që kreu i maxhorancës, Berisha ka dhënë për zgjidhjen e krizës.
Në raport thuhet se pozicioni i kryetares së Kuvendit është abuzuar. Në një kohë që vendimet duhet të merreshin në konferencën e kryetarëve...Si e komentoni?
Asnjë vendim nuk merret nga kryetari, por nga konferenca e kryetarëve. Kryetari moderon, thërret konferencën dhe merret vendimi. Kam një lloj trishtimi kur lexoj këto fletë të opinionit për Shqipërinë dhe identifikoj se këto kanë qenë probleme. Të shohim konkluzionet në fund të raportit me 11 pika. Është ajo që thoni se parlamenti ka pasur një klimë të papërshtatshme për sa kohë ka pasur një bojkot, për sa kohë që deputetët nuk ushtrojnë detyrimin kushtetues. Deputetët nuk zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetueses. Raporti thotë se nuk u votuan ligjet 3/5. Maxhoranca nuk ka 84 vota. Për të votuar Avokatin e Popullit duhen votat e opozitës, pra i kërkon opozitës që të japë votat e saj. Detyra tjetër është reforma zgjedhore.
Ka pasur një rezolutë nga PE, që nuk është zbatuar. Si zgjidhet kriza?
Në fakt, opozitës i është dhënë përtej asaj që unë personalisht, po të kisha qenë në vend të kryeministrit, absolutisht nuk do të shkoja deri aty. Sepse nuk e kam obligim kushtetues për të qenë pjesëtar i komisionit hetimor. Nuk është ligjore për t’i dhënë maxhorancën opozitës në komisione, siç ia ka dhënë kryeministri opozitës. Nuk mund ta pranoj kurrë që unë të mos reflektoj Kodin Elektoral, që është votuar me maxhorancë absolute.
Ka një deklaratë të Doris Pak, një mbrojtëse e PD-së, e cila tha, ‘shikoni, përpara ndryshoni Kodin’. Pse kjo dëshirë për të djegur fletët e votimit?
Kjo kërkon votën e opozitës, apo jo. Ne i kemi thënë për amendimet, ne i votojmë; për transparencën e zgjedhjeve, siç thotë Kushtetuta. Komisioni thotë forcimi i shtetit ligjor është respekt i Kodit, i vendimeve të gjykatave të vendit. Progresi i certifikuar dhe nga opinioni i sotëm, pavarësisht se nuk jep statusin, është një hap i rëndësishëm përpara, për atë që ne e quajmë si ‘toka e premtuar’.
Ju nuk lëvizni nga qëndrimi i djegies së fletëve?
Si thotë ligji, siç e ka ligji...
Berisha thotë se qëndron 12 muaj pa djegur fletët...
Mendoj se Berisha ka shkuar përtej asaj që kalon ligji.
As nuk më shkon ndërmend për djegien e fletëve të votimit. E vetmja detyrë që ka maxhoranca është zbatimi i ligjit. Opozita, kryetari i PS-së, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe nëse nuk dëshiron, t’i drejtohet Strasburgut. Nëse nuk e dëshiron atë, t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.
Prioritet mbetet ndërtimi i parlamentit të ri. Përse e futët pa procedurë? Pa kaluar në konferencën e kryetarëve?
Kur jam zgjedhur kryetare për herë të parë, kam gjetur një vendim që kërkonte ndërtimin e kompleksit parlamentar. Në respekt të saj kam respektuar procedurat. Meqenëse kishte mbaruar afati i këtij vendimi 5-vjeçar, atëherë duhej një vendim i ri.
Ju e keni një projekt tashmë të miratuar?
Meqë kishte skaduar afati. Meqë Shqipëria është një kohë tjetër nga 2004, në 2010-ën, lindi nevoja për një projekt të ri.
Pikërisht Piramidën. Pse e bëtë nul vendimin që keni marrë?
Nuk e kam bërë nul vendimin e mëparshëm. Kishte dy pika: parlamenti të vendosej në oborrin e Kuvendit, ndërsa pika tjetër, varianti i studimit të kompleksit të ri. Kur është bërë konkursi i parë në 2005-2006, buxheti ishte sa gjysma i këtij të sotmit. S’jemi në kushtet që parlamentin ta kushtëzojmë në oborrin e Kuvendit.
Vetëm këtë verë shpenzuam 1 milion dollarë për sallën?
Nuk janë 1 milionë USD, por janë shpenzuar gjysma e saj.
Rama nuk dha asnjë ide, kishte një lloj dhimbjeje për heqjen e mauzoleumit. Përpara mbledhjes kam diskutuar me kreun e grupit të PS-së, Ruçi dhe kemi rënë dakord për ndërtimin e një parlamenti të ri. Pra që vendi ka nevojë për një parlament të ri.
A duhet të ndërtohet diku gjetkë apo duhet të shembet Piramida?
Parlamentet në botë janë në vendet qendrore. Janë diskutuar dhe variante të tjera. Dikush thoshte, pas stacionit të Trenit dhe nuk mendoj se parlamenti duhet të hidhej pas stacionit të Trenit.
Pse nuk pranuat variantin e parë?
Është hapësira e ngushtë dhe nuk krijon mundësi për deputetët që të punonin brenda kushteve normale.
A është kusht që Piramida do rrafshohet?
Ne i japim Gjykatën e Lartë, krijojmë një pallat drejtësie. Zgjidhim problemin e teatrit me sallën e seancave.
Pse do rrëzohet Piramida?
Personi kyç që ka punuar me Piramidën, zoti Kolaneci dhe specialistët shprehen se për shkak të një kolone qendror që ka, është e pamundur të transformohet. Unë besoj se veç zotit Rama, të tjerëve nuk do t’u vijë keq për heqjen e mauzoleumit të Enver Hoxhës.
Ndryshime në qeveri, a ka ardhur momenti?
Nëse u realizua liberalizimi i vizave, njeriu që duhet të ndjehet më mirë është kryeministri Berisha.
A duhen bërë ndryshime?
E vendos kryeministri në pozicionin më të respektueshëm dhe të një njeriu që e mban fjalën dhe këtë e ka provuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Unë dua të shpreh mirënjohjen për deputetët që kanë votuar ligjet që i kishim për detyrime. Ky është sukses i kabinetit ‘Berisha’. Kam parë një fytyrë që donte të përshëndeste heqjen e vizave, por ishte shumë i zbehtë dhe i merrej goja kur fliste. E kam për atë që i merrej goja kur fliste dhe ka tentuar ta bllokojë këtë proces
Nga e djathta, ministri Basha po kristalizohet si emër për Bashkinë e Tiranë. Si mendon ju për këtë?
Nga e majta dihet që ai është, Rama. Ai nuk e lëshon Bashkinë. Se Bashkia dhe 20 përqindëshi aty është.
Do të jetë apo jo zoti Basha?
Kur të vijë zoti Basha, le të flasë vetë. Unë i jam përgjigjur një herë kësaj pyetjeje. Unë di që nga grupi i PD-së ka njerëz të mrekullueshëm dhe njerëz të tjerë.
Ju jeni numri dy i PD-së, si mendoni?
Nuk e vendos as numri një e as numri dy këtë gjë, janë forumet që vendosin. Unë nuk flas për emra, nuk i ndaj njerëzit asnjëherë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›