Gruaja lejohet të takojë Dajtin në qeli
Trazhgim Sokolaj
Dorela Dajti u lejua dje të takojë bashkëshortin e saj në spitalin e burgut në Tiranë, pas më tepër se një muaj refuzimi që pas arrestimit të 38-vjeçarit, me akuzën e vrasjes së katër oficerëve të policisë.
Mesditën e djeshme, e shoqja e të pandehurit është lejuar të futet në Spitalin e Burgjeve, ku nën masa të rrepta sigurie për rreth 40 minuta, është njohur nga afër me gjendjen shëndetësore të Dritan Dajtit, i cili ka dy plumba në trup nga tre të marrë gjatë përplasjes me armë me policinë. Takimi i djeshëm mësohet se është lejuar nga policia e burgjeve, e cila ka nën përgjegjësi ruajtjen e të arrestuarit. Dajti u mbajt në supermasa sigurie që pas arrestimit, edhe pse ishte plagosur rëndë me tre plumba në trup. Precedenti i arratisjes spektakolare nga Gjykata e Tiranës, në tetor 2003, ishte shkaku i angazhimit të dhjetëra efektivave të policisë që fortifikuan burgun.
Takimi me bashkëshorten
Të afërmit e Dritan Dajtit, babai dhe bashkëshortja e tij, kanë kërkuar pesë herë me radhë prej një muaji, autorizimin e prokurorisë për të takuar 38-vjeçarin, e akuzuar për vrasje të katërfishtë. Organi i akuzës nuk i dha përgjigje kërkesave të familjarëve, me argumentin se spitali i burgjeve nuk është në varësinë e Prokurorisë. Ndërkohë Spitali i Burgjeve nuk lejoi takimin e familjarëve me Dajtin, duke kërkuar autorizim nga Prokuroria. Në dy javët e para pas arrestimit, të afërmit e Dajtit kërkuan leje nga burgu, për të furnizuar të arrestuarin me ushqime dhe rroba. Një gjë e tillë u realizua ndërsa dje, Dorela Dajti është lejuar të takohet me bashkëshortin, pas një konfirmimi nga policia e burgjeve. Takimi ka zgjatur rreth 40 minuta dhe më pas i arrestuari është rikthyer në regjimin e zakonshëm, si dhe nën kujdesin e mjekëve.
Hetimi
për masakrën
Gjendja shëndetësore e Dritan Dajtit e ka bërë të pamundur deri më tani marrjen e deklarimeve prej tij, lidhur me masakrën e ndodhur në Durrës ku u vranë katër oficerë policie dhe shtetasi Ledion Mara. I akuzuari për ngjarjen, Dritan Dajti, bëri një deklaratë në gjykatë gjatë masës së sigurisë dhe më pas artikuloi alibinë e tij pas një takimi me avokatin mbrojtës, Arben Qeleshi. Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila po heton çështjen, ka vijuar veprimet e saj me kryerjen e akt-ekspertimeve, marrjen në pyetje të dëshmitarëve të masakrës dhe një sërë procedurash të tjera, me qëllim dokumentimin e vrasjes së katër oficerëve, Fatos Xhani, Kastriot Feska, Sajmir Duçkollari dhe Altin Dizdari. Gjatë hetimit është bërë kontroll në banesën ku qëndronte Dajti në Durrës, si dhe në dy shtëpi të tij në Tiranë, ku nuk është arritur të gjenden prova kompromentuese. Gjatë ditëve të ardhshme prokuroria pritet të marrë në pyetje të arrestuarin për të kërkuar prej tij sqarime lidhur me ekzekutimin me armë të oficerëve gjatë tentativës për kapjen e tij më 7 gusht në Durrës.
"Policët, kujtova se ishin grabitës"
TIRANE - I arrestuari me akuzën e vrasjes së katërfishtë të oficerëve të policisë, Dritan Dajti, ka pohuar alibinë e tij në një takim me avokatin Arben Qeleshi. Ai ka thënë se nuk e dinte që personat që iu afruan makinës së tij ishin punonjës policie. Sipas Dajtit, njerëzit e armatosur dhe të maskuar ishin afruar te makina me pistoleta në duart dhe ai kishte qëlluar duke menduar se ishin grabitës. Sipas hetimit, tre efektivat e parë që kanë vepruar nuk kanë pasur uniformë policie, edhe pse Fatos Xhani mbante në dorë një dokument si oficer vëzhgimi në momentin e ndërhyrjes. Prokuroria ka deklaruar se po verifikon rrethanat e ngjarjes dhe se para të shtënave në momentin e ndërhyrjes, Fatos Xhani është prezantuar si efektiv policie.
Prokuroria: S`dhamë leje për takimin
Organi i akuzës, i cili po heton dosjen penale në adresë të Dritan Dajtit, mësohet se është kontaktuar dje nga burgjet për njoftim lidhur me lejen e dhënë ndaj të shoqes për takim me Dajtin. Sipas prokurorisë, grupi i hetimit nuk është shprehur as pro as kundër. Ndërkohë nga burime zyrtare mësohet se leja është dhënë nga policia e burgjeve.
Transporti në spital me autoblindë
TIRANE - Pak ditë më parë, me një autorizim nga mjekët që po ndjekin gjendjen e tij, Dritan Dajti u transportua nga spitali i burgjeve për në spitalin civil, për një ekzaminim lidhur me plumbat që ka në trup. Përmes një grafie, mjekët saktësuan pozicionin e saktë të plumbave ndërsa një grup kirurgësh mësohet se janë duke mbajtur gjendjen në kontroll, me qëllim kryerjen e ndërhyrjes kirurgjikale. Njëri nga plumbat e ka kapur Dajtin në zonën e trungut, duke kaluar fare pranë shtyllës kurrizore, ndërsa plumbi tjetër është në zonën e legenit. Mjekët janë shprehur se gjendja e të arrestuarit ka qenë problematike por është përmirësuar ndjeshëm dhe nuk paraqet rrezik.