E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita e re: Parti të majta dhe të djathta në një front të vetëm

PS-ja dhe kreu i saj, Rama, projektojnë krijimin e frontit të ri opozitar. Kreu i PDS-së, Milo, mbështet idenë e zgjerimit të koalicionit opozitar

Shaban Sulçe
Opozita e re, e krijuar pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, pritet të ketë një konfigurim dhe funksionim shumë më ndryshe dhe shumë më të veçantë në krahasim me opozitën e mëparshme. Partia Socialiste dhe kryetari i saj në detyrë kanë projektuar konfigurimin e një fronti opozitar, në të cilin do të përqendrohen të gjitha energjitë e partive opozitare, pavarësisht spektrit politik të cilit i përkasin. Thënë më qartësisht, në skenën politike nuk do të jenë dy opozita të shpërndara, një nga partitë e majta të mbledhura rreth PS-së dhe tjetra nga partitë e djathta, të cilat janë në opozitë me qeverinë dhe maxhorancën aktuale. Projekti ambicioz socialist synon të mbledhë rreth vetes, në një front të vetëm, çdo parti opozitare, pavarësisht se nuk i përket spektrit të majtë. Kjo ide duket se ka gjetur mbështetje edhe nga aleatët e majtë, tradicionalë të Partisë Socialiste. Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale, një prej eksponentëve kryesorë të së majtës, pohoi strategjinë më të fundit politike. “Po shkohet drejt krijimit të një fronti të vetëm opozitar, me pjesëmarrjen e çdo force opozitare”, - tha Milo.

Milo
I kontaktuar nga gazeta “Albania”, kreu i PDS-së foli rreth aksionit politik të shpallur nga Partia Socialiste. Milo tha se PDS-ja ende nuk e ka marrë një ftesë për t’iu bashkangjitur këtij aksioni, por deklaroi se nëse ky aksion politik do t’u shërbejë interesave të demokracisë në vend dhe interesave të PDS-së, përgjigja do të ishte pozitive. Kreu i PDS-së deklaroi gjithashtu se ishte takuar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, për të biseduar rreth strategjisë, e cila do të nxirrte fituese opozitën në zgjedhjet e ardhshme lokale. I pyetur se si e komentonte ftesën e bërë nga kryesocialisti Edi Rama për bashkëpunim edhe me partitë e djathta si në rastin e PDK-së, Milo tha se perspektiva e opozitës së sotme është krijimi i një fronti të vetëm opozitar.

Turi i Ramës
Takimeve të njëpasnjëshme të kryeministrit Berisha me partitë aleate në prag të fillimit të sezonit të ri politik, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u është përgjigjur me të njëjtën monedhë. Kreu në detyrë i selisë rozë ka nisur një tur takimesh, të cilat kanë për qëllim riorganizimin e forcave opozitare. Pas takimit me aleatin tradicional, kreun socialdemokrat, Skënder Gjinushi, Rama është takuar me kryetarin e Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ndërkohë që pritet që kryesocialisti të zgjasë dorën e bashkëpunimit edhe me krerët e partive të djathta, gjithnjë nëse ato të jenë në pozicione opozitare ndaj qeverisë së re dhe kryeministrit Berisha. Dy ditë më parë, Rama është takuar me Ndokën, ndërkohë që pritet që në ditët në vazhdim ai të zhvillojë takime me kreun e LZHK-së Dashamir Shehi dhe kreun e PLD-së, Spartak Ngjela. Bisedimet e kryetarit të Partisë Socialiste me krerët e partive opozitare kanë lidhje me aktualitetin politik, por edhe me organizimin e opozitës për zgjedhjet më të afërta, që janë zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në takimet e zhvilluara Rama ka kërkuar mbështetje ndaj qëndrimit të PS-së për ta konsideruar Parlamentin dhe qeverinë me legjitimitet thellësisht të cunguar. Gjithashtu kreu i PS-së ka kërkuar mbështetje dhe koordinim të aksioneve opozitare në këtë periudhë, ndërkohë që ka shpalosur edhe qëllimin e tij për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Qëndrimet e përbashkëta të partive opozitare

Qëndrimi kryesor i përbashkët i partive opozitare, përfshi partitë e majta dhe ato të djathta, ka lidhje me atë çka ndodhi në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar ndajnë qëndrim të përbashkët lidhur me ndershmërinë e procesit. Partitë në fjalë kanë pretenduar për parregullsi dhe manipulime, për vjedhje votash, madje edhe për mandate të humbura. Hetimi dhe transparenca e zgjedhjeve përbën edhe pikënisjen e bashkëpunimit midis partive në fjalë. Një gjë e tillë është shfrytëzuar më së miri nga kreu në detyrë i PS-së, Edi Rama, i cili, gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm të 29 gushtit u bëri ftesë të gjitha partive dhe grupimeve qytetare opozitare që t’i bashkohen nismës së PS-së për hetimin e zgjedhjeve dhe shkurtimin e ditëve të qeverisë së re. Por, siç deklaroi ai, bashkëpunimi pritet të zgjerohet edhe më tej. Ky bashkëpunim mund të kurorëzohet edhe me krijimin e një koalicioni të vetëm opozitar në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërkohë që objektivi i lakmuar prej partive në fjalë ka të bëjë me zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›