E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ lista e zgjedhesve sekret

Lista e zgjedhësve, pjesa kyç e hetimit për socialistët, do të arkivohet për të paktën 50 vjet. Lista gjendet në kutinë e materialeve zgjedhore.

Në listën, përbri emrit të gjithësecilit, komisionerët shënojnë numrin e pasaportës apo të letërnjoftimit elektronik të votuesit.

Pikërisht për arsye se lista identifikon shtetasit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që këtë listë t'ia dërgojë Arkivit të Shtetit në një dosje të posaçme, të ndarë nga dokumentat e tjera zgjedhore, në përputhje me dispozitat e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ligji i arkivave thotë se të dhënat me karakter vetjak që cënojnë jetën intime të individit shërbehen pasi të kenë kaluar, sipas rastit nga 50 deri në 150 vjet.

Në KQZ, nënkryetarja Dëshira Subashi nuk kishte pranuar të vinte firmën në urdhër krahas firmës së kryetarit Ristani, duke u larguar nga salla në shenjë proteste.

Por administrata e KQZ-së dhe anëtarët e tjerë, iu referuan rregullores së brendshme e cila përcakton se kur nënkryetari nuk vë firmën pranë një urdhëri, ky urdhër administrativ shndërrohet në akt normativ dhe i paraqitet për votim anëtarëve të KQZ-së.

Akti kaloi me shumicë votash. Ndërkohë në depot ku gjenden kutitë e zgjedhjeve të shkuara, administrata e KQZ-së ka filluar zbrazjen e kutive.

Fletët e votimit futen në thasë të zinj dhe pasi të jenë zbrazur të tëra kutitë, do të ngarkohen në kamionë për t'u dërguar në Sharrë, ku edhe do të digjen.

Kurse materialet zgjedhore, pasi të verifikohen nga komisioni i posaçëm i ngritur pranë KQZ-së, përmes zyrës së protokollit do t'i dërgohen Arkivit të Shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›