E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Raporti i progresit është një agjendë kombëtare

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vlerësoi sot Raportin e Progresit për vitin 2008 për Shqipërinë, duke e cilësuar atë "një agjendë kombëtare". "Ky raport është një vlerësim objektiv i punës së Parlamentit. Në secilën prej 56 faqeve të tij, fjala "progres" përmendet mbi 100 herë dhe në shumë faqe kjo fjalë përsëritet 5-6 herë', tha znj. Topalli në një deklarim për mediat. Ajo ftoi të gjitha institucionet që ta lexojnë këtë dokument me seriozitet, që ai të jetë kalendar pune jo vetëm për qeverinë dhe parlamentin, por edhe për to. Tre ditë pas dorëzimit zyrtar të raportit autoriteteve shqiptare kryeparlamentarja komentoi konkluzionet e tij mbi ecurinë e reformave në vend, duke shprehur njëkohësisht vendosmërinë për zhvillimin vitin e ardhshëm të zgjedhjeve të lira e të ndershme. "Ju sigurojmë se jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të bëjmë zgjedhjet më të mira, zgjedhje të lira e të ndershme. Sfida kryesore, kodi elektoral është prioriteti ynë, vëmendja jonë, dhe ai do të mbyllet së shpejti. Po ashtu dhe reforma në drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve e zyrtarëve, do të jenë fokusi real i punës dhe i axhendës së këtij Kuvendi", deklaroi znj. Topalli. Ajo citoi raportin në fjalë, sipas të cilit, "parlamenti ka theksuar më shumë rolin e tij, si fokusi kryesor i debatit politik. Ky institucion, gjithashtu, ka miratuar një numër të konsiderueshëm ligjesh për të përafruar legjislacionin me aqcuis".
"Jam krenare që Kuvendi vetëm vitin e kaluar ka miratuar jo pak, por 314 ligje, vendime e akte normative, 13 rezoluta, 31 interpelanca, 14 raportime, në 91 seanca plenare, ose 360 orë debat vetëm në seanca plenare. Momenti kulmor i punës së parlamentarizmit, padyshim ka qenë ndryshimi i Kushtetutës, i sistemit elektoral, i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit dhe i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm", tha Kryetarja Topalli. Duke iu referuar raportit të BE-së, ajo tha se "në këtë periudhë, forcat politike filluan të bashkëpunojnë për çështje madhore. Ky konsensus midis maxhorancës dhe opozitës ka rezultuar me progres në reformën gjyqësore dhe atë elektorale."
Por krahas arritjeve dhe progresit drejt BE-së Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje dhe sfidat me të cilat do të përballet parlamenti në muajt në vazhdim, si reforma në drejtësi, imuniteti i deputetëve, etj. "Muajt e ardhshëm reforma në drejtësi dhe çështja e imuniteteve të deputetëve dhe zyrtarëve, do të jenë fokusi real i punës dhe i axhendës së këtij Kuvendi. Për këtë, dialogu konstruktiv është gur prove, si shprehje e maturisë së klasës politike dhe i vullnetit të sinqertë", tha znj.Topalli.
Ajo vuri në dukje dhe zhvillimet pozitive në fushën e lirisë së shprehjes, ku janë adoptuar ligje në politikën e mediave. Në këtë kuadër ajo tha se "KKRT dhe Parlamenti kanë përgatitur një plan veprimi mbi reformën në media dhe kanë draftuar një strategji të dixhitalizimit. Besoj se komisioni parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik në bashkëpunim me KKRT-në, me asistencën e BE-së dhe Këshillin e Europës, do të dalë me një produkt konkret të një projektligji për median të standardeve europiane".
Gjithashtu, kryetarja e parlamentit vlerësoi dhe progresin e konstatuar në këtë raport lidhur me të drejtat e grave e fëmijëve, për ligjet e miratuara për çështjet gjinore, sidomos për kalimin e shumë ligjeve të reformave ekonomike.
Raporti i Progresit për Shqipërinë për vitin 2008 u publikua më 5 nëntor nga zyra e Komisionit Europian në Tiranë. Kryeministri Sali Berisha e konsideroi këtë dokument një vlerësim për zhvillimet pozitive në vend si dhe një inkurajim për reformat në të ardhmen.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›