Ministria e ekonomisë bërin të ditur sot se sektori i furnizimit me ujë dhe kanalizimeve është në proces ristrukturimi tërësor

Reformimi i sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve ka hyrë tashmë në një proces ristrukturimi tërësor, përmes decentralizimit dhe komercializimit të këtyre shërbimeve, bënë të ditur burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE). Iniciativa ligjore për administrimin e ndërmarrjeve të furnizimit me ujë nga autoritetet lokale, rishikimi i ligjit të rezervave ujore, politikat e qeverisë në mirëadministrimin e burimeve ujore në tërësi, janë pjesë e një programi dhe strategjie sektoriale në kuadër të menaxhimit të integruar të burimeve ujore dhe kërkesës bazë të Direktivës Europiane për Ujin. Të njëjtat burime shtojnë se në dhjetor të 2007 u ndërmor iniciativa për rishikimin e ligjit të Entit Rregullator të Ujit, i cili rregullon monopolin natyror ujë, në funksion të vendosjes së tarifave, sipas një procedure të miratimit paraprak nga pushteti vendor pronar. Për të siguruar një mirëadministrim të këtyre ndërmarrjeve, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve (DPUK) së bashku me Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Financave dhe Entin Rregullator të Ujit, nën konsulencën e ekspertëve të Bankës Botërore, po zhvillojnë një Model Standard për Marrëveshjen e Performancës, me qëllim reduktimin gradual të subvencioneve nga shteti për operimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellës-kanalizimeve. Po ashtu, po pergatitet një Model Standard për hartimin e Planeve të Biznesit dhe Udhëzuesin e saj përkatës, për t’u përdorur nga të gjitha shoqëritë ujësjellës-kanalizime në përgatitjen e planeve të tyre 5-vjeçare. Ky Udhezues është pilotuar me shumë sukses në 5 shoqeri si U-K Kavajë, Shkodër, Librazhd, Berat-Kuçovë si dhe në Sarande dhe pritet zyrtarizimi i formës standarde dhe shtrirja te të gjitha shoqëritë brenda vitit 2008.
Investime për 2009
Qeveria shqiptare parashikon të shpenzojë rreth 2.5 miliardë lekë për sektorin e ujësjellës-kanalizimeve gjatë vitit 2009. Në projektbuxhetin e shtetit për vitin 2009 në këtë sektor parashikohet të financohen një numër i konsiderueshëm projektesh, me shtrirje pothuaj në të gjithë vendin. Sipas specialistëve të këtij sektori, gjatë vitit 2009 synohet përmirësimi rrënjësor i furnizimit me ujë në zonat turistike e rurale të vendit sipas standardeve të përparuara, si dhe ndërtimi i rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza për qendrat rurale. Ndërsa 1 miliardë lekë parashikohen për grantin konkurrues që do të shpërndahet për këtë sektor në vitin 2009.
...