Topalli: Reformat legjislative, pro biznesit
Parlamenti Shqiptar ka shërbyer si institucion kyç në reformimin e legjislacionit në disa fusha kryesore të vendit, duke ndikuar pozitivisht në klimën e biznesit. Për kryetaren Jozefina Topalli, institucioni i Parlamentit ka shërbyer që ligjet e miratuara të jenë më profesionale dhe të një cilësie më të mirë. Deklarata e Topallit u bë në seminarin "Përmirësimi i procesit të legjislacionit të reformave ekonomike", zhvilluar dje në mjediset e Kryesisë së Kuvendit. Në fjalën e saj, në hapje të këtij seminari, kryetarja Topalli tha se "vetëm gjatë periudhës së fundit në Parlament kanë kaluar mbi 211 ligje, ku ndër më të rëndësishmet ajo veçoi ligjin "Mbi procedurat tatimore", "Mbi falimentimin", "Mbi koncesionet", si dhe ai "Mbi sistemin e taksave." Sipas saj, "të gjitha këto reforma, veçanërisht në fushën fiskale, kanë synuar gjithmonë si të bëjnë më miqësore klimën për biznesin dhe heqjen e barrierave fiskale, të panevojshme në ambientin tonë".