Topalli: “Rruga e vetme”, si koalicioni i Partisë së Punës 20 vjet më parë
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka prezantuar dje në komunën e Kastratit në Shkodër kandidatin për kryetar komune të “Aleancës për qytetarin” Viktor Popën.
“Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje për qytetarin dhe nuk janë zgjedhje politike që janë mbajtur dy vite më parë. Qeverisja lokale kërkon menaxherë të zotë” - u shpreh Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Topalli. Në fjalën e saj kryetarja e kuvendit, Topalli vlerësoi kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Viktor Popa si modelin e suksesit në profesionin e tij, duke shtuar se këtë sukses do ta dëshmojë dhe në drejtimin e komunës. Më tej ajo tha se gjatë mandatit të kaluar, në drejtimin kryetarit të djathtë, Gjovalin Vneshtës, komuna ka pësuar transformime të mëdha, ku ndër më të rëndësishmit është subvencionimi që qeveria ka dhënë për 400 hektarë në mbjelljen hardhive, ullinjve dhe kulturave të tjera të prodhimit bujqësor. Gjithashtu, Topalli ka thekuar se Komuna e Kastratit ka përmirësuar ndjeshëm dhe infrastrukturën e brendshme të komunës dhe rrugët që lidhen me qytetin e Shkodrës. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se në 8 maj do të fitojë alternativa për qytetarin, që është alternativa e lirisë, e një vendi anëtar në NATO, e një vendi, njerëzit e të cilit qarkullojnë të lirë, pa viza në Evropë. Kryetarja e Kuvendit, Topalli shprehu gjithashtu bindjen se, banorët e Kastratit me votën e tyre për Aleancën e Qytetarit do të shprehin mirënjohjen e thellë për reformat dhe arritjet historike që, Shqipëria ka shënuar këto vite. “Rinia është me ne, qytetarët janë me ne. Janë me ne për një arsye shumë të thjeshtë. Së pari, këta 18 vjeçarë kanë lindur në ditën e lirisë dhe ata janë dëshmia e gjallë, ku liria funksionon”- tha Topalli. Por kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj iu referua gjithashtu edhe kreut të opozitës, Edi Ramës. “Koalicioni i tij, nën sloganin “E vetmja rrugë” vjen i njëjtë, si 20 vite më parë, koalicioni i Partisë së Punës, që përbën dhe arsyen më të fortë për të refuzuar Edi Ramën”- përfundoi Topalli.