E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama, fushatë vetëm për karrigen e tij- mëkatet s’ia lan dot as lumi

22-04-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha vijon turin elektoral të prezantimit të kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin” në Mamurras dhe Ishëm. Berisha u ndal sot paradite në komunën e Ishmit ku prezantoi dhe i shprehu mbështetje kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për këtë komunë, zotit Gëzim Ylli. Në Mamurras Berisha prezantoi kandidatin, Ilir Pjetri. Duke i shprehur mirënjohje për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Demokratike në vite, Kryeministri Berisha i ftoi banorët që më 8 Maj të votojnë për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Gëzim Yllin, pasi vota për të do të shndërrohet në sukses për të gjithë qytetarët e Ishmit. Kryeministri u shpreh se qeveria do të mbështesë çdo projekt në infrastrukturë për shndërrimin e Ishmit në një nga polet më të fuqishme turistike të vendit.


Fjalimi i Kryeministrit Sali Berisha:


“Ju përshëndes vëllazërisht dhe shpreh kënaqësinë që jam sot këtu tek ju për t’ju falënderuar me mirënjohje për të gjithë mbështetjen tuaj, si dhe për t’ju paraqitur kandidatin për kryetar komune, kryetarin tuaj, një nga komunarët më të suksesshëm, zoti Gëzim Ylli. Vij sot këtu për t’ju garantuar ju se ndryshimet e mëdha të komunës, për të cilat ju jeni vetë dëshmitarë, gjatë katër viteve që vijnë do të jenë disa herë më të mëdha. Në këto katër vite, ne kemi ndërtuar 36 kilometra rrugë në komunën tuaj, kemi ndërtuar 3 shkolla, 3 qendra shëndetësore, 5 ujësjellës që i sigurojnë ujë 98 përqind të banorëve të komunës. Në ndërtim e sipër është rruga Shetaj - Kepi Rodonit, është tenderuar rruga Fushë Gjyricë – Likmetaj.  Brenda katër viteve do të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të Ishmit, është në ndërtim rruga Lalz – Raksh me gjatësi 7 kilometra, rruga Shkafanë – Lalz me 6 kilometra, do të ndërtojmë shkolla të reja në Shetaj, Alsufaj, Shën Pjetër, do të ndërtojmë të gjitha shkollat, qendrat shëndetësore, ujësjellësit, kanalizimet, do të asfaltohen të gjitha rrugët e Ishmit. Ishmi ka potenciale të mëdha. Ishmi është komunë që me këtë infrastrukturë të re bëhet ndër të paktat – afër detit, afër Mbretit. Me rrugën që ndërtuam dhe inauguruam para pak javësh ju u bëtë komunë afër Mbretit. Me rrugën që po ndërtojmë drejt Kepit të Rodonit ju bëheni afër detit. Unë ju garantoj ju se shumë shpejt ju do të jeni një nga zonat më të preferuara turistike të Shqipërisë dhe më gjerë. Ju do të shndërroheni në një ndër polet më të fuqishme turistike të vendit. Në një farë mënyre, në një farë lloji, Ishmi është Llogoraja e Jonit. Nuk ka turist që vjen në Gjirin e Lalzit dhe nuk dëshiron që vijë pasdite të vizitojë Ishmin, të çlodhet, të pijë kafe e të darkojë këtu. Ishmi ka një potencial të madh e të jashtëzakonshëm në frutikulturë. Unë ju garantoj juve dhe kryetarin e komunës së do të financojë çdo rrënjë ulliri apo druri frutor që ju do të mbillni në këtë komunë. Ftoj fermerët e Ishmit të bëjnë gjithçka për të krijuar në Ishëm bahçet dhe kopshtet më të mëdha e më të mira të të gjithë rajonit. Ju ftoj që më 8 Maj të votoni kandidatin e “Aleancës për qytetarin”, Gëzim Yllin, të votoni Partinë Demokratike. Ju jap fjalën se çdo projekt tuajin, sikundër deri më sot me Gëzim Yllin, do ta shndërrojmë në realitet. Secili prej nesh ëndrrën më të bukura ka – Ishmin në Europë, Shqipërinë në Europë. Por është në duart tona të ndërtojmë Ishmin evropian dhe Shqipërinë evropiane. Dhe unë besoj se këtë po e bëjmë me përgjegjësinë më të madhe, me respektin më të madh, me përkushtimin më të madh. Ju garantoj juve se ne kemi çdo potencial për të bërë Ishmin Evropian, për të bërë Shqipërinë Evropiane. Na duhet vota juaj që ta kthejmë atë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush. Së bashku ne, njerëzit e vendit më të izoluar të Evropës dhe botës, ia dolëm që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO. Së bashku ne, njerëzit e vendit të turizmit të ndaluar, ia dolëm Shqipërinë dhe Ishmin këtë vit ta shpallim destinacionin kryesor turistik të botës, të bukurën e dheut. Së bashku ne ia dolëm që nga njerëz të rrethuar në kufi me tela me gjemba të lëvizim sot të lirë në mbarë Europën. Pra ne jemi njerëz të mundit, të djersës, të punës, të përkushtimit, të respektit, të nderimit të njeri – tjetrit, të besimit te njëri – tjetri. Ne së bashku ëndrrën tonë evropiane, ëndrrën evropiane të fëmijëve tanë për integrimit e plotë të Shqipërisë në Evropë, do ta realizojmë ashtu siç realizuam liberalizimin e vizave, siç realizuam lëvizjen e lirë. Krahas kësaj alternative është alternativa e rrugës së vetme. Të dashur banorë të Ishmit, cila ishte alternativa e rrugës së vetme këto vite? Kjo alternativë ishte alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të bllokuar anëtarësimin në NATO, alternativa e përpjekjeve të gjithanshme për të futur vizat në kuti. Rruga e vetme ishte rruga që shpalli vepër kriminale rritjen dhe dyfishimin e pensioneve tuaj, rritjen e rrogave. Rruga e vetme ishte rruga e bllokimit me çdo kusht të çdo progresi të këtij vendi, por bllokimit të dështuar. Ne le t’ia lëmë këtë rrugë zotit Edi Rama, i cili e ka kryekëput për karrigen e tij. Le të ecim ne së bashku, të ecim së bashku në rrugën e NATO-s, në rrugën e turizmit, të rritjes së rrogave dhe pensioneve, në rrugën e heqjes së vizave për ju, në rrugën e integrimit, në rrugën e kthimit të ëndrrave tona në realitet. Edhe një herë me shumë mirënjohje ju falënderoj për votën tuaj. Ju garantoj se suksesi i Gëzim Ylli do të shndërrohet në sukses për secilin prej jush dhe të gjithë qytetarët e Ishmit, pavarësisht nga bindjet e tyre. Në shtëpinë e qytetarit, në shtëpinë “Aleancës për qytetarit” ka vend për të gjithë. Ne jemi të vetëdijshëm se sot janë jo të paktë shqiptarët që vuajnë nga papunësia, por theksoj këtu se Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë e në botë, që, sipas BE, nuk pati rritje, por ulje të papunësisë.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›