Thellohet skandali i kandidatëve të Edvinit, Vangush Dako injoron studentët, s’u përgjigjet pyetjeve të tyre

Ferdinand Xhaferaj fiton përballjen e parë publike me Vangjush Dakon
Kandidatët për kreun e bashkisë së Durrësit në zgjedhjet e 8 majit, Ferdinand Xhaferaj dhe Vangjush Dako, kanë zhvilluar dje në mesditë debatin e tyre të parë për problematikat e qytetit, në auditorin kryesor të universitetit “Aleksandër Moisiu”. Përballja mes dy kandidatëve ishte organizuar nga stafi akademik dhe senati dhe u zhvillua mbi bazën e kritereve të përcaktuara prej tyre. Kandidati i koalicionit opozitar “Aleanca për të ardhmen”, Vangjush Dako, e vlerësoi mjaft të suksesshëm mandatin e tij të parë në krye të bashkisë, që sipas tij, ka arritur të zbatojë projekte për infrastrukturën, gjelbërimin dhe ndriçimin në disa nga lagjet e harruara të Durrësit. Në ekspozenë e tij, kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, theksoi se Durrësi gjatë katër viteve të fundit “është zhvilluar në mënyrë krejtësisht kaotike, duke hedhur beton pa fund në interes të firmës private të kryebashkiakut Dako”. Vizioni i ardhshëm i qytetit, tha ndër të tjera kandidati Xhaferaj, do të lidhet edhe me praninë e universitetit, studentët dhe pedagogët e të cilit janë një potencial bashkëpunimi në të ardhmen. Sipas tij, “ndërtimi i kampusit universitar prej 54 ha në veri të qytetit është vetëm pjesa fizike e projekteve të përbashkëta që do të ndërmerren nga bashkia dhe universiteti në dobi të qytetit”. Por, atëherë kur kandidatët po bashkëbisedonin me studentët, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, Vangjush Dako ka refuzuar të japë përgjigje. Ai gjatë gjithë kohës është munduar të shmangë pyetjet direkte të studentëve, të cilat kishin të bënin kryesisht me përgjegjësitë e pushtetit vendor lidhur me shërbimet që duhet të ofrojë bashkia e Durrësit. Dako, ndonëse s’ka dhënë shpjegime përkatëse për mundësitë dhe shërbimet që ofron bashkia e Durrësit aktualisht, s’ka ngurruar të kritikojë pushtetin qendror, duke i atashuar atij përgjegjësi që në të vërtetë i takojnë pushtetit lokal. Debati mes dy kandidatëve rivalë për postin e kryebashkiakut të Durrësit u bë më i nxehtë kur u trajtuan çështjet e punësimit dhe kur Xhaferaj mbrojti idenë e shfrytëzimit të të gjitha resurseve që nga trashëgimia kulturore deri te mundësitë që jep tregtia dhe transporti.
Përballja mes dy kandidatëve për bashkinë e Durrësit kishte ngjallur interesimin e madh të studentëve dhe pedagogëve, të cilët bënë një sërë pyetjesh lidhur me kushtet dhe përfshirjen e tyre në jetën e qytetit bregdetar.