E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Ruçi, debate për ish-të përndjekurit e trazicionin

Kuvendi i Shqipërisë është shoqëruar me debate mes kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi. Ndërsa në sallë po diskutohej “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror” kryetarja e Kuvendit I ka cilësuar deklaratat e deputetëve të opozitës si lotë krokodili.
 

“ Të shoh lotët e krokodilit për ish-pronarët nga ajo parti që i vodhi pronat është më shumë se hipokrite. Baballarët tuaj i kanë marrë tokat, pasurinë, i kanë nxjerrë jashtë dhe ju për 8 vjet rresht e bllokuat atë proces. Kërkoni të falur se i keni nxjerrë nga shtëpia. Ndaj ku flisni ju për ish-pronarët më duket si Gramoz Ruçi që flet për ish-të përndjekurit dhe kjo është e rëndë” ka theksuar Topalli.
 

I menjëhershëm ka qënë reagimi i kreut të grupit të PS-së Ruçi i cili ka theksuar mazhorancës “i djeg” për ato që opozita po bën për ish-të përndjekurit. “Ju, ju ka djegur shumë për atë që po bëjmë ne për ish-të përndjekurit. Në vitin 91 unë kam dhënë 1500 firma mbi bazën e një letre të intelektualëve të Tiranës të cilën kryeministri juaj nuk pranoi ta publikojë në gazetë” ka theksuar Ruçi.
 

Por kryetarja e Kuvendit i është përgjigjur sërish Ruçit duke e pyetur se nëse ishte ai ministri i brendshëm i diktaturës. “A ishit ju ministër i Brendshëm i diktaturës, apo nuk ishit” tha Topalli.

“Më 23 shkurt 1991 kam qënë për dy muaj ministër i brendshëm, por jo ministër i diktaturës por i trazicionit. Pasi nëse nuk do ta pranojmë që në këtë kohë ishte vendosur pluralizmi, nuk do të pranojmë që pluralizmi është vendosur në dhjetor. Unë jam krenar për tre gjëra në kohën kur kam qënë ministër i brendshëm. E para se kam dhënë 1500 firma për të liruar të dënuarit politik. E dyta, se kur u ndërrua sistemi nuk u thye një xham nuk u vra një njeri, kurse për të hequr një njeri në 97 e dini vetë sa u vranë dhe e treta për herë të parë janë bërë zgjedhje dhe numëruar vota kokërr më kokërr pa manipulim, duke humbur edhe Ramiz Alia në qendër të Tiranës. Merrni shembull si zhvillohen zgjedhje, ju që vetëm manipuloni” ka theksuar Ruçi.

Ajo gjithashtu ka përmendur edhe vrasjen e 4 gjimnazistëve nga Shkodra në kufi. "Është e vërtetë që shqiptarët ju përmbysën me Sali Berishën, në krye e demokracia erdhi në 92, por a ishit ju kur 4 fëmijë të gjimnazit i vratë në kufi dhe i morët trupat e tyre dhe i sollët në rrugët e qytetit tim, këto ishin ato që bëtë ju, nuk e kam vetëm me ty e kam me grupin, ishte koha kur Berisha ju rrëzoi. Jeni krenarë se sollët trupat e fëmijëve të vdekur, krenar si thotë Bushati për babën e tij, se i hoqët pronat, se i futët në burg, kërkoni të falur, këtë bëni” tha Topalli.
 

Ruçi ka kërkuar nga Topalli të mos spekulojë me fatkeqësinë e të vrarëve. “Zonjë mos luaj as me fatkeqësinë e 4 fëmijëve që nuk kanë lidhje me personin tim, kanë aq lidhje sa mund të kenë me Berishën në atë kohë. Para se të flisni, mos spekuloni me të vrarët dhe nëse flisni për diktaturën, hajde të ulemi si parlament, është bërë rezolutë dhe është kërkuar ndjesë me aktin e lirimin e të burgosurve dhe me ndjesë publike, historia e kuvendit për atë ndjesë ka filluar në 91 kur ka miratuar atë dokument në arshivë, lexoje dhe botojeni” theksoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›