Ruçi: Të shqyrtojmë në fillim “statusin e të verbërve”

Kryetari i grupit parlamentar socialiste Gramoz Ruçi ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës të seancës plenare ku në fillim të shqyrtohet statusi i të verbërve. Duke iu referuar protestës të PAK-ut përpara Parlamentit, Ruçi theksoi se një përfaqësi e të verbërve kërkon të marrë pjesë në seancën plenare. Ai gjithashtu e ka cilësuar si të papranueshme ndalimin që i është bërë një përfaqësie të të verbërve në qytetin e Shkodrës.
“Aktualisht zhvillohet një demonstim i të verbërve para Kuvendit. Ata kanë depozituar kërkesë që një përfaqësi e tyre të asistojnë në punimet e Kuvendit” theksoi Ruçi duke i kërkuar kryetares së Kuvendit, Topalli që të merret parasysh kërkesa e tyre, duke shtuar se ata nuk kanë mundësi fizike për të qëndruar në pritje.
Ndërkohë Kuvendi pritet që të shqyrtojë sot dy projektligjet "Për statusin e të verbrit" dhe "Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”. Këto projektligje janë kundërshtuar nga shoqata e personave me aftësi të kufizuar, të cilët theksojnë se ky vendim qeverie u heq të drejtën për transport falas dhe kompesimin e faturës së telefonisë dhe enegjisë elektrike.
Në seancën e sotme priten të diskutohen edhe ndryshimet në pr/ligjin “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, si dhe nisma ligjore e PS-së për heqjen e moratoriumit të "skafeve". Për projektligjin “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” qeveria nëpërmjet një ndryshimi të bërë më datën 4 janar, qeveria shpalli kalimin në varësi të Këshillit të Ministrave të Informacionit të klasifikuar Sekret Shtetëror, ligji për Statistikat zyrtare dhe ai për Prokurimin Publik.
Opozita i kundërshton ashpër këto ndryshime pasi sipas saj në këtë mënyrë përqendrohet pushteti në dorën e një individi. Sipas opozitës ky propozimi i qeverisë nuk lidhet aspak me përmirësimin apo korigjimet e ligjit, por lidhet me një dëshirë politike të Kryeministrit, për të akumuluar sa më shumë pushtete në duart e tij.
Gjithashtu pritet që sot PS-ja me anë të nismës së deputetit Artan Gaci të kërkojë shfuqizimin e moratoriumit të skafeve. Deputeti Gaci dje me anë të një letre u kërkoi deputetëve të PD në qarqet bregdetare dhe atyre në zonat me dalje në liqenin e Shkodrës, Fierzës dhe Pogradecit të votojnë në Kuvend për shfuqizimin e moratoriumit të mjeteve lundruese. Sipas deputetit socialist ky ligj ka bllokuar zhvillimin turistik dhe ka vendosur vendin në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetare që shohin turizmin si burim mirëqënie për qyetarët.