E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: “Shqipëria dhe Turqia janë më shumë se dy partnerë strategjikë”

Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, zhvilloi dje një takim me Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl. Duke rikonfirmuar vullnetin politik të Shqipërisë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Turqinë si një aleate afatgjatë e Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen gjatë gjithë rrugës deri në anëtarësimin e plotë në NATO. Ajo tha se Shqipëria dhe shqiptarët kanë gjetur gjithmonë tek shteti, qeveria dhe populli turk një mik të madh në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit. Prandaj, tha ajo, forcimi dhe thellimi i marrëdhënieve të shkëlqyera me Turqinë mike e partnere, mbetet një nga prioritetet e rëndësishme të politikës sonë të jashtme. Topalli shprehu kënaqësinë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë reflektuar më mënyrë perfekte në bashkëpunimin parlamentar përmes shkëmbimeve frekuente të vizitave. Presidenti Gyl, duke përgëzuar për vendimin e 16 nëntorit për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, tha se Turqia e ka përshëndetur këtë vendim dhe beson se së shpejti BE-ja do të marrë edhe vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në vendin tuaj mik, dhe me kënaqësi vëmë re progresin tuaj. Pluralizmi dhe demokracia ka ligjet dhe rregullat e veta dhe këto ligje duhet të pranohen dhe zbatohen”, - theksoi Presidenti Gyl. Ai shtoi se Parlamenti ka një punë të madhe përpara në sfidat e reja me të cilat përballet vendi dhe Turqia është e gatshme të ofrojë të gjithë mbështetjen dhe përvojën e saj. Duke vlerësuar se vizita të niveleve të tilla janë një dëshmi e miqësisë së fortë, por edhe i vullnetit maksimal për forcimin e bashkëpunimit, Kryetarja e Kuvendit tha se mirëpret në një vizitë zyrtare edhe Kryetarin e ri të Parlamentit turk në Parlamentin e Shqipërisë.

Ky lajm është publikuar: 12/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›