Topalli: Shqipëria, kandidate potenciale për t’iu bashkuar BE
Kryetarja e Kuvendit pritet në një takim në Strasburg nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Jean-Claude Mignon, ndërkohë që mban një fjalim në Konferencën Evropiane të Presidentëve të Parlamenteve
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli në kuadër të vizitës së saj në Strasburg ku merr pjesë në Konferencën Evropiane të Presidentëve të Parlamenteve, 20-21 shtator 2012, zhvilloi dje, më 20 shtator një takim me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Jean-Claude Mignon. Njohës i mirë i zhvillimeve në Shqipëri, që në vitin 1990, Mignon vlerësoi progresin e jashtëzakonshëm dhe të shpejtë që ka kryer ky vend. Në këtë kontekst, ai çmoi se Shqipëria, në një hark kohor kaq të shkurtër, ndodhet në krye Këshillit të Evropës për të dhënë kontributin e tij të çmuar në promovimin e vlerave të kësaj organizate.
Në këtë takim Mignon shprehu kënaqësinë dhe vlerësimet e tij për Presidencën Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kontributit të saj, jo vetëm për forcimin e bashkëpunimit mes Asamblesë Parlamentare të KiE dhe Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, por edhe për kontributin e kësaj presidence në drejtim të disa prej çështjeve më të rëndësishme ku është fokusuar puna e KiE dhe sidomos në reformën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Topalli, tha se ndihet krenare që Shqipëria ndodhet në krye të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, gjë që më parë konsiderohej e pamundur, ashtu siç konsiderohej edhe anëtarësimi në NATO. “Por ja që me angazhim të plotë dhe përkushtim këto tashmë janë realitet”, tha ajo.
Duke u ndalur në moton e Presidencës Shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës “Të bashkuar në diversitet”, Kryetarja Topalli vlerësoi se këto janë vlera themelore dhe të pazëvendësueshme në ditët e sotme. Për këtë arsye është tepër e rëndësishme që të përfitojmë sa më shumë nga këto vlera për të përballuar me sukses sfidat dhe vështirësitë që hasim në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, Topalli u ndal edhe në procesin për marrjen e statusit të vendit kandidat duke shprehur besimin se me reformat dhe progresin e prekshëm që ka arritur Shqipëria këtë herë Evropa do të marrë vendimin e duhur duke e pranuar vendin tonë në gjirin e saj.
“Si shqiptare, theksoi ajo, objektivi ynë kombëtar është marrja e statusit, por kjo do të sjellë përfitime si për Shqipërinë, ashtu edhe për BE-në duke pasur parasysh vlerat unike të vendit tonë në harmoninë e besimeve fetare dhe dialogun ndërkulturor”. Në përfundim të takimit, Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jean-Claude Mignon theksoi për mediat se, Shqipëria është një kandidate potenciale për t’iu bashkuar BE-së. “Shqipëria është një kandidate potenciale për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Unë jam një parlamentar francez, dhe sigurisht unë e monitoroj me shumë interes progresin e vendit tuaj në rrugën e integrimit. Dua gjithashtu të përgëzoj kryetaren Topalli për mënyrën sesi e drejton debatin politik në Parlament. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë. Në fakt komitetit të ministrave dhe Asamblesë Parlamentare i është dashur të ndërhyje për tu siguruar që mazhoranca dhe opozita të punonin së bashku. Mendoj se rezultati erdhi falë kontributit tuaj”, u shpreh ai.
Topalli: Integrimi i Shqipërisë në BE, qëllimi ynë kombëtar/ “Zhvillimi i mëtejshëm i Shqipërisë dhe integrimi në Bashkimin Evropian është qëllimi ynë kombëtar”. Kështu u shpreh dje gjatë punimeve të Konferencës Evropiane të Presidentëve të Parlamenteve, organizuar në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg.
Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që Evropa i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve, Topalli u shpreh se në 100 vjetorin e pavarësisë së saj, Shqipëria mban kryesinë e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe është një vend anëtar në NATO. “Ne bëmë të mundur atë që dukej e pamundur. Ne jemi një komb i vogël, por mbartim një mesazh shumë të madh, atë të tolerancës së shkëlqyer fetare dhe respektit shembullor ndërfetar e bashkëpunimit ndëretnik, traditë kjo shekullore e kombit tonë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët nuk morën pjesë në Holokaust, përkundrazi, numri i hebrenjve në fund të luftës në Shqipëri ishte disa herë më i lartë se në fillimet e saj”, tha Topalli. Në këtë drejtim, ajo nënvizoi faktin se gjatë presidencës shqiptare të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës ne kemi moton “Të bashkuar në diversitet”. Zgjerimi i mëtejshëm dhe integrimi i vendeve të rajonit në BE, sipas Topallit, përbën gjithashtu një nga sfidat e komunitetit Evropian. Ajo uroi që në një të ardhme të afërt, disa vende evropiane anëtare të BE-së dhe NATO-s, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën, të marrin vendimin e duhur.