E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Të nisë puna për ndryshimin e Kodit

13/04/2010 Kryetarja e Kuvendit kërkon nga krerët kuvendorë të mbështeten te sugjerimet e OSBE-së

Kreu i Grupit të PS-së, Ruçi nuk tërhiqet nga transparenca e 28 qershorit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i porositi kryetarët e grupeve parlamentare të nisin sa më parë konsultimet mbi modalitet për të bërë ndryshimet e duhura në Kodin Elektoral. Gjatë mbledhjes së djeshme të Konferencës së Kryetarëve kryeparlamentarja u kërkoi kreut të grupit parlamentar të PD-së Astrit Patozit, atij të PS-së Gramoz Ruçit, i pranishëm në mbledhje, dhe homologut të tyre të LSI-së Nasip Naço të nisin nga puna për hartimin e amendamenteve për ligjin e zgjedhjeve bazuar në rekomandimet e raportit të OSBE–ODIHR-it. Kërkesa në parim e Kryetares së Kuvendit nuk është mirëpritur nga kreu i kuvendorëve socialist Gramoz Ruçi, i cili, sipas burimeve, ka vënë theksin tek transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit, para se Kuvendi të nisë përgatitjet për zgjedhjet lokale. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vijnë si një kërkesë e domosdoshme, në kohën kur partitë politike së shpejti do të nisin të përgatiten për zgjedhjet vendore të 2011-s. Disa muaj pas zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme OBE-ja përmes kreut të saj të prezencës Robert Bosh prezantoi një përmbledhje të rezultatit të situatës së vëzhguar në këtë proces. Pas trajtimit të çdo problemi ai bëri edhe sugjerimet përkatëse, të cilat kishin si emërues të përbashkët theksimin e rëndësisë që ka zbatimit të ligjeve dhe jo vetëm hartimi dhe rregullimi i tyre. Bosh ka garantuar se prezenca do të ofrojë mbështetjen dhe asistencën e saj për të punuar drejt përmbushjes së të gjitha angazhimeve të OSBE-së.

Po dje Kryetarja e Kuvendit u kërkoi kryetarëve të grupeve kuvendore që në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të respektohet koha e diskutimeve në seancë plenare, e veçanërisht të tregohet kujdes ndaj etikës parlamentare. Jo më larg se seanca e fundit parlamentare e zhvilluar në 8 prill, Byroja Parlamentare vendosi përjashtimin e deputetit të Partisë Socialiste Taulant Balla për një periudhë 15-ditore nga punimet e Kuvendit për përdorim të fjalëve fyese kundrejt anëtarëve të qeverisë dhe deputetëve, si dhe i ka dhënë vërejtje deputetit tjetër socialist Sajmir Tahiri për përdorimin e fjalëve fyese ndaj drejtuesit të seancës plenare. Konferenca miratoi kalendarin trijavor të punime të Kuvendit për periudhën 12 prill-30 prill të këtij viti.

Rekomandimet e OSBE-së

“Për arritjen e një konsensusi sa më të gjerë politik në këtë proces përkundrejt një sistemi tërësisht të depolitizuar mund të merret në konsideratë zgjerimi i përbërjes së komisioneve zgjedhore”, - thuhet në raporti lidhur me komisionerët. Duke pasur parasysh se të gjitha votat duhet të kenë të njëjtën vlerë, OSBE-ja sugjeron se duhet parë mënyra e shpërndarjes së mandateve. Marrja në konsideratë në të ardhmen e fshehjes së shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhjes së shortit për radhën e numërimit të tyre është një tjetër sugjerim i OSBE-së për të shmangur problemet mbi procesin e numërimit.

Rekomandimet e KQZ-së

Pavlefshmëria e fletës së votimit, koha e paraqitjes së listës së zgjedhësve, zgjatja e afatit të nxjerrjes së rezultatit zgjedhor dhe moslejimi i partive politike për të ndryshuar komisionerët në çdo kohë, pasi rrezikohet trajnimi i tyre - ishin këto disa nga çështjet për të cilat komisioni do të sugjerojë ndërhyrjen në ligjin e zgjedhjeve. Konkretisht KQZ-ja sugjeron ndryshimin e zonave të administrimit zgjedhor, duke marrë në konsideratë numrin normalisht të pabarabartë të votuesve të këtyre zonave në këto zgjedhje, pasi lehtëson shumë procesin e numërimit të votave në të ardhmen. KQZ-ja po punon për hartimin e një liste sugjerimesh.

Mungesa e konsensusit

Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Nga njëra anë qeveria duhet të luajë një rol pozitiv dhe nga ana tjetër opozita duhet të luajë një rol konstruktiv. Pa këtë bashkëpunim mes palëve sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë së bashku me ciklin e zgjedhjeve jo dhe aq të mira. Është ende herët për të folur për këtë konsensus, kur nga zgjedhjet lokale na ndan një vit kalendarik, por nuk janë shumë kur kujton eksperiencat e mëparshme të partive politike në vend, të cilat e gjenin konsensusin me vështirësi dhe përtej limiteve kohore.

Thirrja e deputetit socialist

Deputeti i Partisë Socialiste Kastriot Islami dy ditë më parë vlerësoi si urgjente nevojën për ndërhyrje sa më parë në Kodin Zgjedhor. Ai u bëri thirrje dy forcave politike kryesore në vend, maxhorancës dhe opozitës, që të ngrenë sa më parë komisionin e reformës me qëllim amendimin e Kodit Zgjedhor para muajit korrik të këtij viti. “Mendoj se është urgjente nevoja e krijimit të komisionit për reformën zgjedhore, e cila duhet të realizohet duke përmbushur rekomandimet e OSBE–ODIHR-it”, - theksoi Islami, , ish-bashkëkryetar i komisionit bipartizan për ndryshimin ligjit elektoral. Sipas tij, brenda këtij sesioni parlamentar duhet të përfundojë miratimi i ndryshimeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor. Deputeti socialist nënvizon se në muajin shtator 2010 institucionet duhet të kenë një bazë ligjore solide për administrimin e procesit të ardhshëm zgjedhor. Hartimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor duhet të nisin minimalisht një vit para zgjedhjeve të radhës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›