E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedohen dy italianët, mashtruan një infermier shqiptar

13/04/2010 I morën 3600 euro 3 vjet më parë me premtimin se do t’i siguronin një punë në Itali

ELBASAN- Priste prej tre vjetësh lajmin për t’u punësuar në Itali, por gjithçka ka rezultuar një mashtrim. Autorët e këtij mashtrimi kanë qenë pikërisht dy shtetas italianë, të cilët i kanë marrë paratë, por pa i siguruar punën infermierit të ri që kishte vendosur të udhëtonte përtej detit.

Hetimi

Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur se dy shtetas italianë janë proceduar pasi janë akuzuar nga një 28-vjeçar shqiptar për mashtrim me premtim punësimin kundrejt një shume të konsiderueshme parash. Vetëm dje ka filluar procedimi penal nga shtetasve Anna Maria Longo 52 vjeç me banim të përkohshëm në Tiranë dhe ndaj shtetasit Giuseppe Franco Toma 35 vjeç po kështu me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi ata akuzohen se i kanë marrë një shumë prej 3600 eurosh shtetasit me inicialet D. M. 28 vjeç me banim në Elbasan. Sipas deklaratës së infermierit, dy shtetasit italianë i kishin marrë paratë duke i premtuar se do ta punësonin në Itali si infermier, por nga ajo kohë kanë kaluar rreth 3 vjet dhe ende 28-vjeçari nuk kishte mundur të udhëtonte drejt shtetit fqinjë. Ai u ka thënë agjentëve se kishte mësuar nëpërmjet të tjerëve se këta persona siguronin mundësi punësimi për infermierë. Ka shkuar dhe i ka takuar. Ata i kanë kërkuar jo pak, por 3600 euro për sigurimin e punës. I riu ka siguruar paratë borxh nga të afërmit dhe ua ka dërguar dy italianëve. Kur duhet të kalonin vetëm disa muaj, kanë kaluar vite dhe i riu nuk ka arritur as të komunikojë me të dy shtetasit që i kishin thënë të mos shqetësohej se shumë shpejt do të kishte një punë të sigurt dhe dokumente qëndrimi. Pasi ka pritur për tri vite, i riu ka kuptuar ishte veçse një mashtrim, i është drejtuar policisë ku edhe ka denoncuar dy italianët. Ndaj tyre ka filluar procedimi nga Prokuroria e rrethit gjyqësor për veprën penale të mashtrimit. Vazhdojnë hetimet për të zbardhur të gjitha detajet e kësaj çështjeje. Shumë infermierë janë punësuar në shtetin fqinj nëpërmjet agjencive të ndërmjetësimit për punësim. Por ka pasur edhe raste kur këto agjenci kanë qenë fiktive dhe personat mashtrues me qëllim përfitimin e parave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›