E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Të përfundohet sa më shpejt reforma zgjedhore

Në përshëndetjen drejtuar konferencës "Trashëgimia zgjedhore evropiane: dhjetë vjet të kodit të praktikës së mirë për çështjet zgjedhore", kryetarja Topalli tha se tashmë që reforma zgjedhore është në finishin e saj nuk ka më kohë dhe ajo duhet përmbyllur sa më parë.

“Gjatë muajve të fundit në komisionin e reformës është bërë një punë e madhe dhe e vlerësueshme, por tani është finishi dhe kjo punë duhet të mbyllet, pasi nuk ka më kohë. Ju ftoj që ajo që ka mbetur të përfundohet sa shpejt. Po ashtu dhe kufizimi i imunitetit për zyrtarët e lartë duhet të votohet shpejt. Komisioni i Venecias ka dhënë opinionin e tij për imunitetin dhe maxhoranca është e gatshme për çdo propozim të opozitës. Sot është koha për të vepruar, është koha tani për të fituar statusin e kandidatit në BE", u shpreh kryetarja e Kuvendit.

Ajo vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer që Shqipëria ka pasur ndër vite me Komisionin e Venecias, një organizëm që ka shoqëruar të gjitha vendet lindore në rrugën e tranzicionit, ndërsa theksoi se Shqipëria ka bërë përpjekje të ndershme dhe progres për të realizuar zgjedhje transparente dhe konkurruese.

Maxhoranca, tha Topalli, ka vullnetin e mirë për të zbatuar dokumentin e Këshillit të Europës, Kodin e Praktikave të mira Zgjedhore, si dhe rekomandimet e ODIHR.

Konferenca e sotme mbahet në 10 vjetorin e dokumentit të Këshillit të Europës për kodin e praktikave të mira elektorale, të cilin Topalli e cilësoi si 'Kushtetutën e zgjedhjeve' dhe 'yllin polar', që duhet zbatuar në frymë dhe gërmë.

Në këtë aktivitet do të referojnë dhe anëtarë të Komisionit të Venecias, si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, përfaqësues të shoqërisë civile, trupi diplomatik i akredituar në Tiranë, etj.
Takimi merr rëndësi të veçantë ndërsa pritet që forcat politike të përmbyllin reformën zgjedhore, një nga reformat më të rëndësishme ligjore në vend dhe prioritet kyç i vendosur nga BE për procesin e integrimit.

/Start/E.G/

                                                                                             2012-07-02 10:36
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›