E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zotëria telenovelë

Share

Rruga drejt pushtetit nuk është e thënë të jetë gjithmonë e mbushur me gurë, ndonjëherë mund të jetë krejt e butë. Mjafton të kesh aftësinë për të folur qartë dhe mbështetjen e duhur dhe ia del, edhe pse nuk ke ndonjë aftësi politike. Të paktën kështu ndodh në Meksikë ku të dielën 45 vjeçari Enrique Pena Nieto është shpallur president i ri.

Pena Nieto, një djalosh me sharm dhe një buzëqeshje që nuk i shqitet nga fytyra, e ka kthyer vendin e dytë më të madh në Amerikën Latine sërish në të shkuarën. Me të rikthehet në pushtet Partia e Revolucionit të Institucionalizuar.

Fati i Meksikës ka qenë në duart e kësaj partie për 71 vite. Dhe ajo e ka përdorur këtë fat në mënyrë të dyshimtë. Me sundimin e tyre nga viti 1929 deri në vitin 2000 lidhen manipulimi i votave, presionet, korrupsioni dhe kriza ekonomike. Por bashkë me të rikthehen kujtimet e një qeverie që dukej se përkujdesej për njerëzit. Autori peruan Mario Vargas Llosa e pati quajtur Meksikën e PRI një diktaturë perfekte.

Tani pas 12 vitesh në opozitë, ata janë sërish në pushtet. Lufta e presidentit në detyrë Felipe Calderon ndaj drogmenëve kontribuoi shumë në rikthimin e partisë së vjetër. Po ashtu mendohet se formula e suksesit lidhet ngushtësisht me perandorinë më të madhe mediatike në Amerikën Latine, Televisa.

Televisa solli në pushtet Pena Nieto, thotë Jenaro Villamil, gazetar dhe autor librash, që ka ndjekur ngjitjen e këtij njeriu nga një ushtar i thjeshtë partiak në president brenda dhjetë vitesh.

Formula ishte fytyrë e bukur+ para+ televizion+ marrëdhënie publike dinosaurësh= fitore. Dhe projekti kishte nisur që herët. Në Meksikë 70 përqind e njerëzve shohin Televisa, që transmeton telenovela e sport. Madje kur presidenti u martua në vitin 2010 me një aktore telenovelash, yllëzën Angelica Rivera, Televisa ndërpreu çdo transmetim për të sjellë dasmën live.

E kështu zgjedhjet u vendosën më shumë në TV se në kutitë e votimit.

Këtu përmbajtja nuk ka rëndësi, më shumë duhet forma. Këtë e tregoi vetë Pena Nieto kur ishte në një panair librash në dhjetor në Guadalajara. I pyetur se cilët janë tre librat e tij të preferuar, ai u vu në vështirësi. Fillimisht tha bibla, më pas heshti. Dy titujt e tjerë i bëri lëmsh. Madje edhe emrin e autorit të njohur meksikan, Carlos Fuentes, që u shua nga jetë para pak kohësh, nuk e shqiptoi si duhet.

*Përshtatur nga Spiegel

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›