Topi: Parti e re? Të drejtat e njeriut nuk e ndalojnë
Presidenti i Republikës kritikoi gjuhën e ashpër të përdorur dy ditë më parë në Kuvend. “Nuk mund të jetë absolutisht e denjë për Parlamentin që të angazhohet vetëm me sharje reciproke dhe batuta”
I ndodhur në qytetin e Fierit për një vizitë pune, presidenti i Republikës, Bamir Topi, nuk i është shmangur pyetjes drejtuar atij nga përfaqësues të medias lidhur me mundësinë e përfshirjes së tij në jetën politike të vendit, pas mbarimit të mandatit si President. Në përgjigje të interesimit të gazetarëve, edhe pse ka kujtuar se vizita e tij ishte si President, Topi ka lënë të hapur në të njëjtën kohë angazhimin e tij politik në të ardhmen, duke kujtuar se kjo është një e drejtë thelbësore e çdo njeriu për t’u marrë me çdo aktivitet, që konsiderohet ligjor. “Unë sot kam ardhur si President dhe do të vazhdoj të ushtroj të gjitha detyrat e mia si President, deri në ditën kur do të jem President. Pastaj ... Ju e dini se para se të jesh President, je qytetar, para se të jesh politikan, je qytetar dhe qytetari, sipas kritereve të Kopenhagenit, kanë një të drejtë thelbësore: liritë dhe të drejtat e njeriut për t’u marrë me çdo aktivitet, që konsiderohet ligjor. Apo jo? Dhe diapazoni është shumë i gjerë”,- tha dje Topi. Në fakt, Presidenti i Republikës, më shumë se asnjëherë tjetër, ka ashpërsuar gjuhën e tij ndaj politikës dhe kryesisht ndaj punës së ndjekur deri më tash nga partia në pushtet. Topi ka thyer heshtjen e gjatë pak kohë më parë në një intervistë për “TCH”, duke paralajmëruar hapur edhe mundësinë e një force të re politike të kryesuar nga vetë ai. Që prej kësaj interviste, Presidenti i Republikës nuk ka kursyer qëndrimin e tij kritik ndaj mënyrës të të bërit politike në vend. Topi foli shkoqur edhe një ditë pas publikimit të progres-raportit të BE-së për Shqipërinë mbi përgjegjësitë që kanë sot politikanët dhe po aq i tillë ishte edhe dje, teksa i referohej një debati jashtë kornizave të etikës, që kryesisht kishte protagonist kryeministrin Sali Berisha dy ditë më parë gjatë punimeve në Kuvend. “Sot, shoqëria shqiptare po penalizohet në radhë të parë nga politika. Kjo duhet thënë me zë të lartë, me zë të qartë dhe hapur. Pra, nuk ka ndodhur që Bashkimi Europian të mos jetë i predispozuar për ta pritur Shqipërinë, sepse mund të ndodhte e kundërta, që ne të kërkonim dhe ata të thoshin Jo. Përkundrazi, edhe në takimet e djeshme, edhe në ato të ditës së sotme të gjithë partnerët janë të preokupuar, se përse politika shqiptare vazhdon të jetë konfliktuale. Konfliktuale në komunikim, konfliktuale në batuta dhe të mos jetë bashkëpunuese. Ju e keni parë që fokusi është te 12 kriteret që lidhen në mënyrë ekskluzive me Parlamentin Shqiptar, aty janë të projektuara vullnetet e popullit te partitë politike. Çfarë u kërkohet? U kërkohet të komunikojnë në mënyrë civile dhe nuk mund të jetë absolutisht e denjë për Parlamentin që të angazhohet vetëm me sharje reciproke dhe batuta dhe të mos angazhohet pikërisht në atë që kërkohet”, - tha Topi, duke shtuar se qëndrime të tilla nuk janë në interes të qytetarëve.
N.P