Topalli: Topi e ka zakon t’u kundërvihet konsensuseve të gjera

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka sqaruar dje pozicionin e mazhorancës, pas mosdekretimit të Kodit Zgjedhor prej kryetarit të shtetit, duke theksuar se Presidenti Bamir Topi hodhi poshtë vullnetin e 80 për qind të përfaqësuesve të parlamentit, vendim që s’do mund të ndalë një rikonfirmim të konsensusit në seancë plenare
Partia Demokratike e cilëson si të nxituar vendimin e presidentit të Republikës Bamir Topi për të mos dekretuar Kodin e Ri zgjedhor. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi se presidenti Topi hedh poshtë gjithmonë konsensuset e gjera parlamentare. Sipas saj, Presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të parlamentit ose 80 për qind të vullnetit të shqiptarëve dhe është bashkuar me atë që përfaqëson LSI dhe Partia Demokristiane.
Në të njëjtën linjë është shprehur një ditë më parë edhe zëdhënësi i grupit parlamentar në PD, deputeti Aldo Bumçi, i cili theksoi se Presidenti u tregua i pamatur.
Ndërsa, edhe Partia Socialiste ka mbajtur qëndrim kritik ndaj kreut të shtetit, për mos dekretimin e ligjit të ri zgjedhor.
Dy partitë e mëdha politike, kanë kritikuar presidentin Bamir Topi për kthimin në parlament për rishqyrtim të kodit zgjedhor që u miratua disa javë më parë me një shumicë votash nga parti të qeverisëse dhe të opozitës. Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli tha dje për BBC se kodi zgjedhor është miratuar nga një shumicë e gjerë parlamentare, përfshirë Partinë Demokratike në pushtet dhe Partinë Socialiste në opozitë. “Presidenti i është kundërvënë 80 për qind të vullnetit të parlamentit ose 80 për qind të vullnetit të shqiptarëve dhe është bashkuar me atë që përfaqëson LSI dhe Partia Demokristiane”, tha Topalli duke iu referuar dy partive të vogla parlamentare, deputetë të të cilave zhvilluan një grevë disaditore urie në kundërshtim të kodit zgjedhor. “Në fakt nuk është hera e parë. Sa herë ka patur konsensuse të mëdha, një qëndrim i tillë i përsëritur ka qenë i presidentit”, u shpreh znj.Topalli. Kryetarja e parlamentit Topalli la të kuptohet se parlamenti do të votojë përsëri në favor ligjit “siç e parashikon rregullorja, procedurat për të respektuar atë që është mbi 80 për qind e vullnetit të shqiptarëve”. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe nënkryetari i Parlamentit, Ylli Bufi, i Partisë Socialiste, shprehu rezerva ndaj vendimit të presidentit për ta kthyer këtë ligj. “Unë ende nuk e njoh tekstin e plotë të arsyeve se pse presidenti i Republikës e ka kthyer”, tha Bufi në një intervistë për BBC-në. “Po sido që të jetë, më vjen keq që presidenti i Republikës kthen një dokument, një ligj të miratuar me një shumicë tepër të gjerë, me një konsensus tepër të gjerë në parlament”, tha ai. Bufi shprehu besim se vërejtjet e presidentit ishin për çështje teknike të ligjit që mund të rregullohen. Ende nuk dihet me saktësi se kur Kuvendi do të marrë në shqyrtim dekretin e Presidentit Topi, në kushtet kur dy partitë e mëdha, që i dhanë vulën me konsensus prej 113 votash, Kodit të ri Zgjedhor, nuk kanë ende një qëndrim konkret sesi do ta zgjidhin ngërçin ligjor. Por në ambientet politike po forcohet gjithnjë e më shumë besimi se çështja do të mbyllet me një dispozitë kalimtare në Kod, e vlefshme vetëm për këto zgjedhje, që redukton afatet e dekretimit të datës së zgjedhjeve nga Presidenti.
...