E Diel, 1 Nëntor 2026

Përjashtoi në mënyrë vulgare Tiranën nga festimi i 28 Nëntorit

PD-ja kërkon në Këshillin Bashkiak shkarkimin e kryebashkiakut Edi Rama

Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin e Bashkisë Tiranë, kërkoi dje në mbledhjen e përmuajshme shkarkimin me procedurë të përshpejtuar të kryetarit të Bashkisë, Edi Rama.

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak Tiranë, kërkuan dje shkarkimin e kryebashkiakut Edi Rama, për veprimin e papërgjegjshëm të tij, kur përjashtoi Tiranën në mënyrën më vulgare nga festimet e 28 Nëntorit, ditën e Flamurit, ditën e Ditëlindjes së Kombit Shqiptar. “Në më pak se një javë më parë në 28 Nëntor, ditën e Flamurit, ditën e Ditëlindjes së Kombit Shqiptar, ditë që festohet nga çdo shqiptar me nderimin, adhurimin e krenarinë më të madhe në të katër anët e botës, kudo që ata ndodhen, ditë që është sanksionuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, neni 14, pika 5 kur thotë se ‘Festa Kombëtare e Republikës së Shqipërisë është Dita e Flamurit 28 Nëntori’, kryetari i Bashkisë së Tiranës, në një veprim të turpshëm e të papërgjegjshëm, njëlloj sikur ta kishte Tiranën çiflig të familjes së tij, përjashtoi kryeqytetasit nga festa me një akt fund e krye poshtërues për Kryeqytetin e vendit, duke ndaluar çdo lloj veprimtarie festive të bashkisë dhe duke e përjashtuar Tiranën nga çdo lloj dekorimi e zbukurimi për festën më të madhe të shqiptarëve, për festën e mbarë shqiptarëve”, thuhet në kërkesën e këshilltarëve të PD.
Edi Rama, vijon kërkesa, ofendoi kryeqytetasit, Kryeqytetin dhe mbarë vendin e kombin, duke përjashtuar Tiranën nga festimet për ditën e lindjes së kombit shqiptar. “Ne e kemi të qartë se nuk mund të kërkojmë gjë atje ku materia mungon, nuk mund të kërkojmë as kujdes, as shfaqje të patriotizmit nga Edi Rama po të respektosh kushtetutën dhe ligjet, të respektosh simbolin frymëzues të saj është një detyrë që të takon ta realizosh për hir të detyrës dhe mandatit që ju e keni shkelur, që ju nuk e respektoni. Dinjiteti i qytetarëve të Kryeqytetit kërkon një kryetar që e do Shqipërinë, që respekton simbolet e saj, që nuk i përdhos ato. Edi Rama i ka shkelur ato me të dyja këmbët dhe prandaj duhet t’i vijë turp që të vazhdojë të jetë kryetar i Bashkisë së Kryeqytetit”, theksohet më tej.
Grupi i këshilltarëve të PD-së, në emër të çdo qytetari të Tiranës, i kërkon Këshillit të Bashkisë Tiranë që të propozojë urgjentisht shkarkimin e kryetarit të Bashkisë Tiranë”. Ata shprehën bindjen se “këshilltarët do të votojnë të bashkuar rreth dinjitetit të qytetit dhe të kombit”.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›