E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Trupa shtesë në Afganistan, pranojmë të burgosur nga Guantanamo

 

Shqipëria do të pranojë të burgosur nga burgu i Guantanamos, por me kushtin që ata të mos jenë ujgurë. Këtë e bëri të ditur dje Kryeministri Sali Berisha në një konferencë për shtyp. Në mesditë, përpara se të dilte para mediave, kreu i ekzekutivit u takua në vilën qeveritare nr. 31 për rreth 60 minuta me ambasadorin amerikan, John Uidhërs dhe ambasadorin Daniel Fried, ish-ndihmëssekretar shteti për çështjet e Evropës dhe Azisë. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Duke folur para gazetarëve, Berisha tha se “në takimin që unë kam pasur në janar me Sekretaren e Shtetit Clinton, unë kam shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu përgjigjur pozitivisht një kërkese të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, për të marrë të tjerë ish të burgosur nga burgu i Guantanamos. Qëndrimi im bazohet tërësisht në një çështje të drejtash të njeriut. Ju e dini se kam qenë në opozitë dhe më vonë kryeministër, kur kam kërkuar mbylljen e atij burgu, i bindur se ai u bë simbol i saj që Shtetet e Bashkuara nuk janë”. Por në të njëjtën kohë, ai bëri të ditur se të burgosurit e këtij burgu, i cili do të mbyllet së shpejti, nuk do të jenë ujgurë për shkak të rrezikut të prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën. Tre vjet më parë, Shqipëria pranoi të merrte disa ujgurë nga ky burg, çka çoi në reagimin e menjëhershëm të autoriteteve kineze. “Kam deklaruar se nuk mund të jenë ujgurë, sepse, për arsye tashmë të njohura, unë jam transparent, i hapur, marrëdhëniet me Kinën kanë për Shqipërinë një rëndësi të veçantë. Kina është një vend mik, ndaj dhe nuk mund të komplikohet. U qartësua çdo gjë në rastin e parë dhe ajo nuk do të ndodhte në rastin e dytë”, theksoi më tej kryeministri. Në të njëjtën kohë ai bëri të ditur se Shqipëria do të çojë 85 trupa shtesë në Afganistan, pas deklaratës së Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama për shtimin e rreth 30 mijë trupave të tjerë në këtë rajon. “Qeveria shqiptare, si vend anëtar i NATO-s, mik e aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe mik i kombit afgan dhe Afganistanit, vendos t’i përgjigjet kësaj nisme të re të Presidentit Obama me një shtim të ri të forcave tona në Afganistan, duke dërguar, përveç dy kompanive që veprojnë në Herat, edhe 85 trupa shtesë”, tha më tej Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›