Leskaj: Kutitë ose zgjedhje, nuk ka zgjidhje tjetër
Aristir Lumezi
Deputetja socialiste, Valentina Leskaj shprehet qartë se për PS, në mbarim të ultimatumit, nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç hapjes së kutive ose zgjedhjeve të parakohshme. Leskaj i jep përgjigje dhe akuzave të kryeministrit Berisha në adresë të djalit të saj. “Im bir biznesmen i nderuar, asnjë lidhje me fondet dhe pronat publike”.
Zonja Leskaj PS ka bërë një ultimatum për hapjen e kutive të votimit, i cili ka përfunduar. Cili do të jetë në vazhdim qëndrimi i PS-së?
Besoj se qëndrimet tona janë të qarta. S’ka asnjë tërheqje për ato që ne kemi deklaruar, s’ka asnjë lëshim deri sa të hapen kutitë e votimit ose të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Partia socialiste do të vazhdojë ta kërkojë këtë me të gjitha mjetet demokratike.
Zonja Leskaj, ditët e fundit, maxhoranca dhe veçanërisht kryeministri Berisha i janë kthyer akuzave deri personale në adresë të PS-së dhe kreut të saj Edi Rama. Pse ky qëndrim i Berishës, menjëherë pas protestës së 20 nëntorit dhe paralajmërimit për zgjedhje të parakohshme?
Më duket se pyetja juaj e ka indirekt dhe përgjigjen brenda. Në fakt acarimi filloi mbas datës 20 Nëntor, për shkak të një proteste të paparë në Shqipëri jo vetëm për shkak të numrit të pjesëmarrësve, po për shkak të cilësisë së protestës, të një cilësie të re që lidhet jo vetëm me objektin e protestës, po edhe me një protestë që dëshmoi një seriozitet, qëndrueshmëri dhe etikë të admirueshme edhe përballë provokacioneve të Kryeministrit dhe në përgjithësi të pushtetit. Asnjëherë nuk kanë protestuar kaq shumë shqiptarë për të drejtën e votës dhe në mënyrë kaq të ndërgjegjësuar. Pra arsyeja e nervozizmit është e qartë asgjë nuk është më si më parë për të dhe qeverinë që ai drejton.
Mendoni se situata politike dhe ekonomike në vend është në favor të opozitës, e cila tashmë kërkon zgjedhje të parakohshme dhe si mund të arrihen ato?
Unë besoj se po. Eshtë në favor sepse shqiptarët janë sot më të bindur se kurrë se zgjedhjet janë manipuluar nga një njeri që është recidivist në këtë punë. Një opozitë serioze kur ka përpara një kauzë të rëndësishme nuk vihet në pritje të favoreve. Po padyshim që ka dhe motive të tjera, njëra nga të cilat është situatat ekonomike po jo e vetmja. Sot varfëria është rritur, janë ngushtuar liritë duke filluar nga ajo e pronës dhe liritë e tjera.
Mendoni se ndryshimet kushtetuese të 21 prillit përmes konsensusit PD-PS e vështirësojnë objektivin e opozitës për largimin e qeverisë?
Unë besoj që jo. E them këtë jo për hir të faktit që ne i kemi votuar ndryshimet kushtetuese. Për mua, në demokraci është normale që t’i ndryshosh gjërat pasi janë verifikuar si të pasuksesshme po ky nuk është rasti konkret, sepse nuk jemi në një rast të një qeverie të ndershme të ardhur me votat e popullit. Kur një qeveri ka rënë, nuk ka vlerë llogaria e disa mekanizmave që mund ta mbajnë me zor në këmbë apo ta rrëzojnë. Besoj se kjo qeveri ka rënë pavarësisht nga numrat që ka në parlament, ka rënë jo vetëm për shkak të mënyrës se si erdhi, por dhe për shkak të mënyrës se si u soll me krizën e cila tashmë është evidente e po thellohet. Një qeveri që nuk buron nga vota e ndershme nuk mund të prodhojë gjë tjetër veç produktit që kemi sot.
Maxhoranca ka përsëritur disa herë se mandatet e deputetëve socialistë do të trajtohen mbi baza kushtetuese. Mendoni se deputetët e PS-së do të shkojnë në limitet e skadencës së mandateve të tyre?
Ky refren, që përsëritet çdo ditë si një kërcënim për deputetët e opozitës, është mjeran. Të jeni të sigurt se maxhoranca nuk do ta marrë dot as kënaqësinë e heqjes së mandateve e as kënaqësinë e diversionit mes deputetëve të PS apo atyre që vijojnë në listë.
Ka disa çështje, si pakti i kufirit detar me Greqinë apo dhe heqja e makinave të deputetëve nga ana e qeverisë, do të mund të animoheshin më mirë në kushtetuese nëse deputetët socialistë do të kishin bërë betimin në kuvend?
Përsa i përket të parës nuk e besoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndikohet nga fakti nëse kërkesa vjen nga brenda apo jashtë Kuvendit, mjafton që ajo të jetë në përputhje me kushtetutën. Përsa i përket pjesës së dytë, në dijeninë time nuk ka asnjë ankim apo kërkesë nga deputetët e PS dhe kjo për sa kohë që për ne ka disa prioritete, që lidhen me kauza të mëdha qoftë ajo e kufijve apo ajo e votës si çështje themelore e demokracisë.
Mund të jetë projektligji për hapjen e kutive i propozuar nga mbi 20 mijë qytetarë një arsye për të bërë dhe prezencën në Kuvend?
Për ne ka hapje të kutive ose zgjedhje të parakohshme, s’ka alternativë tjetër.
Sot kryeministri Berisha, mes akuzave të tjera, përmendi dhe djalin tuaj në një dalje publike. Keni ju një koment për këto akuza?
Kur Kryeministri i vendit bie në pozitën e një shpifësi të rëndomtë besoj që ka një hall të madh. Sa i përket djalit tim, ai është një biznesmen i nderuar që nuk ka marrë kurrë një metër nga shteti, kurrë një tender, kurrë një privatizim, kurrë një post pune që krijon privilegje, çdo gjë e ka me djersën e ballit. Kjo është diferenca me atë që shpif. Shpifësi kërkon ortakë në moralin e tij, po nuk mund t’i bëjë dot me zor. Më vjen keq që kryeministri i vendit tim ka rënë kaq poshtë.