E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK, peticion Papës: Berisha persekuton katolikët

 

Partia Demokristiane e Shqipërisë i dërgon një peticion Atit të Shenjtë, Papa Benediktin e XVI në lidhje me vizitën e pritshme të Kryeministrit Berisha në Vatikan më 12 dhjetor. Në peticionin informues të përgatitur për Selinë e Shenjtë, ku i dërgohet Sekretarit të Shtetit të Vatikanit Kardinalin Tarcisio Bretone, theksohet se “z.Berisha ka ndjekur një strategji eliminuese ndaj Partisë Demokristiane dhe nëpërmjet aktit të shëmtuar dhe të dënueshëm të vjedhjes së votës, pengoi përfaqësimin e kësaj partie në parlament në zgjedhjet e fundit politike që u mbajtën më 28 qershor të këtij viti”. PDK në peticionin e saj e informon Selinë e Shenjtë se qeveria e Kryeministrit Berisha, është e vetmja qeveri në Evropë, pa asnjë ministër të besimit katolik, ndërkohë që e njëjta politikë përjashtuese ndaj përfaqësuesve të komunitetit katolik është ndjekur edhe në institucionet e tjera kryesore të shtetit të kontrolluara prej Kryeministrit Berisha, në kundërshtim me harmoninë dhe frymën bashkëpunuese që ka ekzistuar prej vitesh midis komuniteteve fetare në Shqipëri. “Kjo politikë diskriminuese e ndjekur nga z.Berisha ka krijuar shqetësime të vazhdueshme për përfaqësimin normal politik dhe pjesëmarrjen në ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme, të mbështetur mbi vlerat kristiane dhe Evropiane”,- theksohet në peticionin e PDK-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›