“PD-LSI ka funksionuar shumë më mirë nga ç’e kam menduar 4 vite më parë”
Flet për koalicionin kreu i LSI, Ilir Meta
“Koalicioni PD-LSI ka funksionuar shumë më mirë nga ç’e kam menduar 4 vite më parë në kohën e vendimmarrjes”. Kështu e ka përkufizuar kreu i LSI-së Ilir Meta bashkëqeverisjen e partisë që ai drejton me Partinë Demokratike, i pyetur gjatë një interviste televizive për Vizion Plus. “Pas kaq vitesh mund të them kemi marrë vendimin më të drejtë në atë kohë, pasi çdo vendim tjetër nuk do t’i shërbente as stabilitetit të vendit dhe as qëndrueshmërisë së institucioneve”, është shprehur Meta.
Duke iu referuar një tjetër çështjeje të nxehtë aktuale, asaj të ndarjes së mandateve, gjatë kësaj interviste, kreu u i LSI-së tha se mbështet rrugën e bashkëpunimit mes palëve për një ndarje sipas ligjit të mandateve. Megjithatë në rast se ky bashkëpunim nuk do të ekzistojë, sipas Metës, duhet do të mbetet ndarja ekzistuese e mandateve. I pyetur nëse cenohet barazia e votës në qoftë se mbetet në fuqi ndarja e vitit 2009, ai u shpreh se, “në themelin e këtij kodi ekzistues është pabarazia e votës. Dhe në qoftë se ekziston shqetësimi se po bëhet apo nuk po bëhet një rindarje për arsye se janë shtuar në Kukës 500 banorë apo janë pakësuar në Berat 300 duhet të kemi parasysh se ky është kodi që ka sanksionuar pabarazinë e votës duke vendosur pragje të ndryshme elektorale, nga 3 për qind në Tiranë në 25 për qind në Kukës”. Një hapësirë e rëndësishme në këtë intervistë të liderit të LSI-së i është lënë çështjes së 21 janarit, në përvjetorin e dytë të ngjarjes. Meta tha se mbështet organet e drejtësisë në procesin e nisur për të nxjerrë përgjegjësit, si për humbjen e jetës së 4 protestuesve ashtu edhe për organizatorët e protestave të dhunshme. “Sot , dy vite pas ngjarjeve dramatike të 21 janarit, mund të them se sa e rëndësishme është për politikën të tregojë përgjegjësi ndaj njerëzve. E lehtë është për t’i çuar në një konflikt, por dramatike është njëkohësisht të krijosh konfliktin”, është shprehur Meta.
Ndërsa sa i përket raportit mes tij dhe liderit të opozitës Edi Rama, Meta tha se është në politikë për t’u takuar me të gjithë, për të punuar dhe për të bashkëpunuar me të gjithë dhe se nuk ekziston asnjë pengesë për tu takuar me z. Rama dhe me çdo politikan tjetër.
Gjatë intervistës Meta dha gjykimin e tij edhe mbi procesin e mbetur pezull të marrjes së statusit kandidat për në BE të Shqipërisë, ku vlerësoi përmbushjen e detyrimeve nga ana e mazhorancës. Ai cilësoi si pengesën kryesore në këtë proces mosvotimin nga ana e deputeteve te Partisë Socialiste të tre ligjeve të shumëpërfolura. Ndërkaq i pyetur mbi një bashkëpunim të mundshëm parazgjedhor me PD-në, Meta tha se është ende herët për shpalosjen e koalicioneve të ardhshme. Meta dha mendimin e tij edhe mbi propozimin e FMN-së për rritje të taksave, ku theksoi se është shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe të qarta të qëndrueshmërisë në radhë të parë, duke ruajtur parametrat makroekonomikë, borxhin, deficitin, inflacionin. Po kaq të rëndësishme e cilësoi ai një politikë ekonomike që synon rritjen e vendeve të punës.