Meta: “LSI pranon të marrë pjesë në çdo tryezë politike”
Zëvendëskryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta është shprehur i gatshëm dje për të marrë pjesë në një tryezë bisedimesh të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Qëndrimi i Metës bie në kundërshtim me qëndrimin e Partisë Demokratike, e cila është shprehur se për zgjidhjen e krizës politike në vend nuk është i nevojshëm roli i Presidentit Topi. Përkundrazi zëvendëskryeministri vlerëson çdo lloj nisme për t’i dhënë fund krizës politike në vend që vjen si pasojë e bojkotit që opozita i ka bërë punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.
Tryeza
“Ne jemi pro çdo lloj forme të dialogut dhe pa asnjë diskutim ne kemi konsideratën më të lartë për Presidentin e Republikës, për pozicionin e kushtetutës që ai ka, por edhe për qëndrimet e tij që ka mbajtur për çdo çështje”, - është shprehur Meta. Projektrezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që pritet të votohet të enjtën, mbështet përpjekjet e Presidentit Topi për të rivendosur kontaktet mes partive politike shqiptare. Projektrezoluta vlerëson se një tryezë e rrumbullakët mes partive politike mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike në vend dhe të hedhë bazat për rivendosjen e dialogut parlamentar. “Në këtë kuadër, presidenti Topi duhet të luajë rolin e tij të negociatorit dhe të ndihmojë t’i jepet fund bojkotit që është bazuar në mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ne mbështesim të gjitha nismat duke përfshirë atë të Presidentit Topi për të bashkuar të gjitha partitë politike shqiptare. Ne mendojmë se një tryezë e rrumbullakët bisedimi, ku të bashkohen të gjitha partitë politike në Shqipëri, mund të kontribuojë në përmirësimin e klimës politike dhe në vendosjen e pikave për fillimin e dialogut parlamentar”, - shkruhet në projektrezolutën që pritet të miratohet ditën enjte në seancën e Asamblesë së KiE-s.
Delegacioni
Përsa i përket debatit rreth përbërjes së delegacionit shqiptar në Asamblenë e KiE-s, ministri i Jashtëm, Meta doli në mbrojtje të kryetares së kuvendit Topalli, ndërsa akuzoi PS-në për përpjekjet fëminore, siç i quajti ai, për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë. “Është vërtetë për të ardhur keq për këtë përpjekje, do të thosha tepër fëminore dhe tërësisht të papërgjegjshme, që po bëjnë disa përfaqësues të Partisë Socialiste për të dëmtuar imazhin e vendit, jo vetëm në Strazburg por kudo, sikur atje ka patur ndonjë problem serioz, përveç vetë problemit që ka krijuar me qëllim lidershipi i Partisë Socialiste, që ka bërë me bojkotin e pakuptueshëm, të cilin e kanë dënuar të gjithë që nga Strazburgu, Brukseli dhe në të gjithë botën”, është shprehur Meta. Sipas tij, “Kryetarja e Parlamentit nuk ka bërë gjë tjetër përveçse ka zbatuar kompetencat e saj”. Përsa i përket dialogut Meta tha se qeveria nuk mund ta detyrojë opozitën për t’u përfshirë në dialog. “Qeveria nuk mund t’a detyrojë opozitën për dialog, ndërkohë që lidershipi i opozitës ka zgjedhur një strategji destruktive për fat të keq. Qeveria i ka bërë të gjitha propozimet dhe është e hapur për çdo propozim që është legjitim. Duhet që i vetmi lëshim i PS-së, të jetë braktisja e bojkotit si një strategji destruktive për të sjellë me çdo kusht krizë”, është shprehur Meta, ndërsa shtoi se maxhoranca ka qenë dhe është e gatshme në çdo moment “që të bisedojmë, të dialogojmë dhe të garantojmë të gjitha hapësirat e nevojshme që i nevojiten opozitës për të kryer funksionet e saj të kontrollit mbi mazhorancën, si në çdo shoqëri demokratike”.
27 Janar 2010