E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu, optimist për liberalizimin e vizave

Një vend i vogël, por i gatshëm të mbështesë Shqipërinë në ëndrrën e saj për integrimin euroatlantik. Është shteti i Luksemburgut, Kryeministri i të cilit, z. Zhan Klod Junker, zhvilloi dje në Tiranë takime me drejtuesit e shtetit, Kryeministrin Sali Berisha dhe kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Me një popullsi prej 500 mijë banorësh, Luksemburgu nëpërmjet Kryeministrit Zhan Klod Junker i jep mbështetjen Shqipërisë në integrimin euroatlantik dhe në lëvizjen e lirë të njerëzve. Junker ka shprehur optimizëm për liberalizimin e shpejtë të vizave në vendet e BE-së duke dhënë një mesazh të mirëpritur nga shqiptarët. Pas takimit me Junker, Kryeministri Berisha informoi mediat se me Kryeministrin Junker diskutoi për liberalizimin e vizave. “Unë e njoha mikun tim me të gjitha përpjekjet e qeverisë sime për të arritur standardet e nevojshme që shqiptarët e meritojnë të lëvizin lirisht në hapësirën evropiane. Sikundër e njoha me të gjitha reformat e tjera që kemi ndërmarrë për përmirësimin e klimës së biznesit dhe luftën kundër korrupsionit, me qëndrimin me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar dhe suksesin e kësaj lufte”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri i Luksemburgut, një nga 5 vendet themeluese të Bashkimit Evropian, Zhan Klod Junker, vlerësoi dje qeverinë shqiptare se ka bërë hapa para në realizimin e reformave që e afrojnë me BE-në. Gjithashtu sipas tij, Shqipëria dhe Luksemburgu ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe ekonomike mes tyre. Kjo është pohuar pas takimit mes Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit të Luksemburgut, Zhan Klod Junker në Tiranë. Të dy personalitetet në fjalën e tyre vlerësuan rëndësinë e marrëdhënieve të mira mes dy shteteve dhe rolin konstruktiv në rajon dhe më gjerë. Ndërkaq Junker dhe Berisha nënshkruan një sërë marrëveshjesh ekonomike, arsimore apo energjitike. “Këto vitet e fundit vendi ka bërë përparime shumë të mëdha në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, suksese këto të rëndësishme për t’i dhënë Shqipërisë një imazh të mirë në botë. Ka pasur gjithashtu edhe suksese ekonomike që ende nuk janë plotësuar e përfunduar, por që tregojnë se vendi po ecën përpara. Reformat në fushën e politikës fiskale dhe shoqërore janë mbresëlënëse. Këto suksese të mëdha përbëjnë vizionin e ardhshëm të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”, - tha z. Junker. Kjo, sipas tij, do të ndodhë para samitit të ardhshëm të Aleancës, që do të mbahet në prill të vitit të ardhshëm dhe Shqipëria më në fund dhe në mënyrë formale do të kthehet në gjirin e familjes së madhe evropiane, së cilës ajo i përket dhe nga e cila e larguan vendimet e kobshme të ndarjes së kontinentit. “Në planin dypalësh, - shtoi ai, - ne kemi vendosur të thellojmë marrëdhëniet tona ekonomike dhe të bashkëpunojmë në kualifikimin e gjyqtarëve”. “Ne do të fillojmë zbatimin e një programi të nënshkruar midis Shqipërisë dhe Luksemburgut për formimin e bankierëve të rinj, të cilët mund të vijnë e të kryejnë trajnime në Luksemburg. Ne do të lidhim një marrëveshje për taksimin e dyfishtë, kusht thelbësor për të thelluar marrëdhëniet ekonomike dhe do të vazhdojmë të bashkëfinancojmë projektet hidro-energjitike si dhe do të vlerësojmë mundësitë që ekzistojnë për të vendosur një bashkëpunim edhe në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës”, - deklaroi Kryeministri Junker. Nga ana e tij, z. Berisha vlerësoi kontributin e investitorëve të Luksemburgut në sektorin hidro-energjitik, por edhe në arsim dhe shëndetësi. Dy kryeministrat ndanë të njëjtin qëndrim lidhur me nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Luksemburgut.

Junker, Topallit: Në pranverë, anëtarë në NATO

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim Kryeministrin e Luksemburgut Zhan Klod Junker, i cili e siguroi se BE-ja do të liberalizojë vizat për qytetarët shqiptarë. Gjatë këtij takimi, Kryeministri Junker vlerësoi arritjet e Shqipërisë dhe u shpreh i bindur se Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO. “Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO ishte një rezultat i hapave të bëra nga Shqipëria dhe kemi besim se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në prill të 2009-s do të bëhet”, - u shpreh Junker. Nga ana e saj, Topalli falënderoi Kryeministrin Junker për mbështetjen që Luksemburgu po jep për Shqipërinë. Ajo kujtoi që Shqipëria e nënshkroi MSA-në në Luksemburg. “Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë objektiva të qarta tonat, promotorë të ecjes sonë përpara. Përshpejtimi i proceseve integruese të Ballkanit Perëndimor, - theksoi kryetarja e Kuvendit, - do të përbëjë një garanci për të gjithë rajonin Ballkanik, paqen dhe stabilitetin e tij”, - tha kryetarja e Kuvendit, Topalli. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se realizimi së shpejti i kartave të identiteti dhe pasaportave biometrike do të plotësojnë standardet për këtë lëvizje të lirë të qytetarëve. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë Topallit, nga ana e tij, Kryeministri Junker garantoi se liberalizimi i vizave do të bëhet i mundur së shpejti, duke konfirmuar angazhimin serioz të Bashkimit Evropian për këtë çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›