ISG: Mundësitë për një ndarje de fakto të Kosovës po rriten
Grupi Ndërkombëtar i Krizave tha dje në një raport se Kosova ka ndërmarrë hapat e parë në ndërtimin e shtetit të ri, por komuniteti ndërkombëtar ka dështuar në mbajtjen e premtimeve të tij. Grupi paralajmëron ndërkohë se mundësitë për një ndarje de fakto të Kosovës po rriten. Në raportin me titull “Tranzicioni i Brishtë i Kosovës”, organizata prestigjioze me qendër në Bruksel, thotë se mbështetësit e pavarësisë së Kosovës nuk i mbajtën premtimet për shkak të kundërshtimeve të Serbisë dhe Rusisë, vullnetit të pamjaftueshëm politik dhe koordinimit të dobët. Ndarjet mes zonave shqiptare dhe serbe janë thelluar dhe perspektiva për një shtet të njësuar po zhduket, thekson raporti. Nëse ndarja de fakto konsolidohet, e ardhmja e dy të tretave të serbëve të Kosovës që jetojnë në jug të lumit Ibër do të jetë problematike dhe do të shtohen trysnitë për rihartimin e kufijve kudo në ish-Jugosllavi, thuhet në raport. Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se në një kohë kur Bashkimi Evropian është i angazhuar në bisedime të vështira me Rusinë për çështjen e Gjeorgjisë, do të ishte e rrezikshme nëse ai do të shfaqte mungesë vendosmërie në Kosovë. Grupi rekomandon që EULEX-i të vendoset plotësisht në Kosovë jo më vonë se data 1 dhjetor dhe që Bashkimi Evropian t’i japë një vend kryesor Kosovës kur të diskutojë me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE.