E Diel, 1 Nëntor 2026

“Katër viteve që vijnë, sektori i prodhimit të mishit do të rritet me 30 për qind”

03-04-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha vizitoi stabilimentin e prodhimit të mishit të pulës “Agrotek-Al” në Fushë –Krujë

Vitet e fundit, sektori  i shpendarisë  ka pasur një zhvillim të shpejtë.  Për tu njohur më nga afër me zhvillimin e këtij biznesi në Shqipëri, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në stabilimentin “Agrotek-Al”  në Fushë - Krujë. Ky stabiliment njihet për prodhimin e  mishin e freskët të pulës.  
Pas inspektimit të stabilimentit ku është njohur më nga afër me teknologjinë e rritjes së zogjve, thertoren dhe më pas fabrikën e përpunimit, Kryeministri Berisha përshëndeti  investitorët për punën serioze që ata kanë bërë. 
Në mbështetje të këtij sektori, Kryeministri Berisha, shprehu gatishmërinë e qeverisë për të investuar në rritjen e prodhimit të mishit të pulës, i cili sot shkon në 17 mijë ton. Duke qenë se sot në botë mishi i pulës përballon 30 për qind të kërkesave të mishit, Kryeministri Berisha premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka  për dyfishimin dhe mbi dyfishimin e prodhimit të tij në vend si dhe do të mbështesë fuqishëm pultarinë  për vezët.
“Sot Shqipëria prodhon  rreth 1 miliard vezë në vit, është një prodhues i rëndësishëm që eksporton vezë në Rajon dhe më gjerë. Ne do të bëjmë gjithçka  që gjatë katër viteve që vijnë edhe ky sektor të rritet së paku me 30 për qind. Punësimi në këtë sektor të rritet me 30 për qind, të ardhurat nga ky sektor të rriten me 30 për qind”,  u shpreh Kryeministri Berisha.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha  ka përmendur investimet e rëndësishme që ka bërë qeveria gjatë këtyre viteve, në infrastrukturë, ndërtimin e shkollave, ujësjellësve, kanalizimeve, pemëtarisë, blegtorisë, etj. “Këto vite ne kemi investuar më shumë se kurrë dhe më shumë se çdo gjë tjetër në Shqipërinë rurale, sepse infrastruktura moderne, rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësi, vaditja janë kushte themelore për funksionimin e ekonomisë në Shqipërinë rurale. Ne po mbjellim në të katër anët drurë frutorë, kur vetëm pak vite më parë, ne hodhëm idenë e pyllëzimit të vendit me dru frutorë, e pyjeve me dru frutor, kjo u duk  si tepër  e largët, madje pati nga ata që e morën edhe si një lloj shakaje, por nuk kishte asgjë më të vërtetë se ajo për ne. Të bëjmë Shqipërinë  ashtu  siç thoshte  Faik Konica; ‘një kopsht shkëmbor, në brigjet e detit Adriatik’, e vërteta është se Shqipëria  këto 3-4 vite ka mbjellë dru frutorë, ullinj,  arrorë, vreshta, mollë më shumë se në tërë kohërat e saj”, theksoi ai.
Kryeministri Berisha garantoi investitorët se  mandati i ardhshëm do të jetë mandati i mbështetjes më të fuqishme për çdo fermer shqiptarë. “Ne mbetemi të vendosur të mbështesim fuqishëm fermerët tanë. Me ndërtimin e rrugëve, ne i kemi mbështetur ato, me ndërtimin e shkollave, ne i kemi mbështetur ato, me ndërtimin e ujësjellësve i mbështesim dhe dot i mbështesim, por tani me fonde të reja, në qoftë se katër vitet që shkuan kemi financuar 42 mijë fermerë, katër vitet që vijnë, ju jap fjalën këtu se grandet tona kreditë tona për fermerët shqiptarë do të jenë trefishi i atyre që dhamë katër vitet e shkuara”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›