E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli eshtja e progresit te gruas ceshtje e progresit te shoqerise

 Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mori pjesë sot në paraqitjen e raportit “Progresi i Grave në Botë: Në kërkim të drejtësisë”, i cili është raporti i parë kryesor i UN Women, që pas themelimit të organizatës më 2010.

“Me të drejtë Hilari Klinton në të gjithë veprimtarinë e saj, megjithëse është Sekretare Shteti për Marrëdhëniet me Jashtë, në çdo udhëtim të saj, i ka dhënë mbështetjes ndaj grave një dimension të veçantë.

Mbetet e famshme shprehja e saj se: “Çështja e grave është çështje e të drejtave te njeriut”.

Çështja e progresit të gruas është çështje e progresit të shoqërisë, çështja e fuqizimit ekonomik të gruas është çështje e rritjes ekonomike dhe forcimit dhe fuqizimit të ekonomisë globale në tërësi.

Askush deri në këtë periudhë nuk ka bërë një vlerësim sa është vlera e punës që bën gruaja në shtëpi, nëna që rrit fëmijën, gjyshet tona, motrat tona.

Askush nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë vlerësim se sa pjesë e GDP-së është puna që gruaja bën në çdo aspekt dhe në çdo fushë të jetës së saj.

Natyrisht ne që jemi dëshmitare dhe që kemi përjetuar pjesëmarrjen e gruas nga shekulli i kaluar në këtë shekull, e ndjejmë atë që në fakt është titulli i këtij raporti; progresi që gruaja ka bërë në botë dhe në Shqipëri.

Dhe pasi them këtë, kam bindjen e plotë sesa probleme të mëdha, sesa vështirësi të mëdha ka përballë gruaja në jetën e përditshme.

Sa e rëndësishme është që ta vlerësojmë në fushën e shëndetësisë, në fushën e drejtësisë, në fushën e biznesit. Të vlerësojmë sa pjesëmarrëse është ajo”, tha ajo.

Duke shtuar më tej se jeta në politikë është shumë e tensionuar, nganjëherë je e detyruar që të marrësh fyerje, që të marrësh goditje të pamerituara.

“Kjo është një arsye më shumë që ne të jemi më shumë bashkë në jetën politike.

Kjo është një arsye që ne të jemi më shumë në krye të biznesit, të kompanive të ndryshme.

Kjo është një arsye për të qenë më shumë në krye të medias.

Kjo është një arsye për të qenë më shumë në kërkim të së drejtës. Në fund të fundit jo më kot tema e sotme është “në kërkim të drejtësisë”, iu drejtua ajo grave.

Për të përfunduar se nëse gratë do të ishin në krye të shumë punëve të tjera ndoshta rritja ekonomike do të ishte më e madhe.

“Në fund të fundit, ne që mbajmë familjen, ne që jemi shtylla e shtëpisë, ne mund të jemi shumë mirë shtylla kryesore e shoqërisë, e shtetit dhe të japim secila me shpirt, me zemër, me bindje më të mirën ashtu sic e bëjmë për familjen tonë.

Nuk ka pasur lajm më të bukur sesa kur kemi dëgjuar për marrjen e çmimit Nobel nga tri gra, tri aktivisteve të të drejtave të grave duke filluar nga presidentja e Liberisë e duke vazhduar te zonjat e tjera.

Unë e di se sa e vështirë është të jesh në politikë. Unë bashkë me ju, e dimë se sa e vështirë është për të qenë në media dhe në fusha të tjera. Por ne gratë kemi një gjë; nëse besojmë diçka nuk ka gjë që na ndal. Ne besojmë me zemër dhe me shpirt dhe nuk dorëzohemi asnjëherë”, përfundoi ajo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›