E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formulari, Anëtarët e PS-së pyeten për institucionalizimin e Lëvizjes për Mendim Ndryshe



Shaban Sulçe

Lidershipi i Partisë Socialiste kërkon nga anëtarësia socialiste mendimin e saj lidhur me Lëvizjen për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste. Anëtarëve socialistë u është kërkuar mendim nëpërmjet disa formularëve të shpërndarë, në kuadër të zbatimit të vendimeve të Asamblesë Kombëtare, e cila vendosi që për çështjen e ndryshimeve statutore të shprehen dhe të merren në konsideratë sugjerimet e anëtarësisë socialiste. Në këtë formular gjendet edhe një pyetje e posaçme, e cila i kërkon anëtarit të PS-së që të japë mendimin e tij nëse është pro apo kundër institucionalizimit të Lëvizjes për Mendim Ndryshe në radhët e Partisë Socialiste. Formulari në formën e një pyetësori, i cili u është shpërndarë një pyetësor i anëtarëve të PS-së, ndër të tjera, përmban edhe pyetjen: “A mendoni se duhet te institucionalizohet ‘E drejta për oponencë kolektive’ e organizuar ne nivelin e organeve qendrore te Partisë”?

Formulari

Pyetja e mësipërme është e lidhur mjaft qartë me mënyrën se si lidershipi i Partisë Socialiste do të pozicionohet ndaj Lëvizjes për Mendim Ndryshe, e cila përfaqësohet nga pesë deputetë: Blushi, Malaj, Harasani, Islami e Bello, si dhe nga anëtarë të Asamblesë, forumeve të larta dhe ish-deputetë të Partisë Socialiste. Nëpërmjet këtij formulari dhe pyetjes konkrete, do të testohet mbështetja që ka Lëvizja për Mendim Ndryshe në radhët e anëtarëve të Partisë Socialiste. Lidershipi aktual, me anë të këtij formulari do të vendosë nëse do të institucionalizojë brenda Partisë këtë Lëvizje dhe për këtë duket se do të ndikojë shumë fjala që do të thonë anëtarët e PS-së. Në fakt, institucionalizimi i oponencës kolektive ka qenë një nga idetë e hedhura nga ish-kandidati për kryetar të PS-së, Maqo Lakrori, në lidhje me ndryshimet statutore. Sipas Lakrorit, institucionalizimi i oponencës kolektive i shërben demokracisë së brendshme në parti dhe shmang përçarjet e reja. Sipas tij, institucionalizimi i oponencës kolektive mund të bëhet vetëm në forumet qendrore, por jo në strukturat vendore të Partisë.

Ndryshimet statutore

Partia Socialiste ka ngritur një grup të posaçëm pune, i cili do të merret me hartimin e ndryshimeve statutore. Pak ditë më parë u zhvillua mbledhja e parë e këtij grupi. Mbledhja është zhvilluar në drejtimin e Gramoz Ruçit, i cili është caktuar nga Asambleja Kombëtare e PS-së si drejtuesi dhe kryesuesi i këtij grupi pune. Në këtë mbledhje është hartuar kalendari dhe programi i takimeve që grupi i punës për ndryshimet statutore do të zhvillojë me bazën dhe organizatat socialiste. Kjo pasi Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka vendosur që për ndryshimet statutore të merret edhe mendimi i anëtarësisë socialiste. Mendimi i anëtarësisë socialiste për ndryshimet në Statut do të merret në dy mënyra. Së pari, do të jenë takimet e drejtpërdrejta që grupi i punës në PS do të zhvillojë me organizatat socialiste. Për këtë, grupi i posaçëm i punës do të hartojë kalendarin e punës mbi të cilin do të jenë të programuara takimet që do të zhvillohen. Mënyra e dytë do të jetë ajo e shprehjes së mendimit me anë të formularëve të posaçëm, që do të plotësohen nga anëtarët e Partisë Socialiste. Anëtarësia socialiste do të ketë mundësinë që të shprehet në lidhje me pikën më të nxehtë që po shoqëron prej disa kohësh Partinë Socialiste dhe që është ajo e rikandidimit ose jo të kryetarit të Partisë në rast se humben zgjedhjet. Anëtarët e Partisë Socialiste do të kenë mundësinë që të shprehen edhe në lidhje me organizimin dhe strukturat drejtuese të PS-së, për mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të degëve, të kryetarëve të organizatave, madje edhe të kandidatëve për deputetë.

Ndryshimet në Statut, Kongresi do të vendosë në prill 2010
Propozimet e organizatave socialiste do të kenë një vend të veçantë në hartimin e programit të ri të Partisë Socialiste, si dhe në ndryshimet e Statutit të saj. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste janë përcaktuar edhe fazat e diskutimit dhe miratimit të propozimeve për programin e ri politik dhe për ndryshimet statutore. Sipas Asamblesë Kombëtare të PS-së, diskutimi dhe miratimi i propozimeve të ardhura nga anëtarësia do të bëhet në tri faza. Diskutimi i parë do të bëhet në muajin janar të vitit 2010, në Kryesinë e Partisë Socialiste. Më pas vendimet dhe propozimet e saj do t’i kalohen për shqyrtim dhe propozim Asamblesë Kombëtare në muajin shkurt, ndërsa miratimi i programit të ri do të bëhet përfundimisht nga Kongresi i Partisë Socialiste, në muajin prill të vitit të ardhshëm.

Anëtarët e grupit të punës për ndryshimet statutore
Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur të ngrejë një grup të posaçëm pune, i cili do të merret me hartimin e propozimeve për ndryshimet statutore. Në përbërje të këtij grupi, i cili drejtohet nga Gramoz Ruçi, bëjnë pjesë deputetët: Namik Dokle, Fatmir Xhafaj, Bashkim Fino, Erion Braçe, Blendi Klosi, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Ilir Gjoni. Gjithashtu, në këtë grup merr pjesë edhe Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Genc Gjonçaj, Agustin Marku, Rajmonda Gjoni dhe Ndue Doda.

Lëvizja për Mendim Ndryshe: Deputetët e PS-së të hyjnë në Kuvend

Pesë deputetet e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste do të presin edhe pak ditë për të thyer bojkotin e Parlamentit. Sapo të nisë shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian duket se deputetët do të hyjnë në Kuvend. Në një thirrje dërguar të gjithë deputetëve të tjerë të zgjedhur socialistë, 5 deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe kanë deklaruar: “U kërkojmë të gjithë deputetëve të opozitës të rishikojnë vendimin për bojkotin e Kuvendit dhe të jenë prezent në seancën kuvendore të datës 16 nëntor, me synimin për ta bërë grupin kuvendor të opozitës pjesëmarrëse në këtë moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët”. Duke marrë shkas nga vendimi i 27 ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian, 5 deputetët socialistë thonë se ditën e hënë ata duhet të jenë pjesë e institucioneve parlamentare. Me anë të kësaj thirrjeje të hartuar nga deputetet e mendimit ndryshe synohet që edhe deputetet e tjerë socialistë t’i bashkohen nismës për të hyrë në Kuvend. Vendimi i pesë deputeteve ka qenë i paralajmëruar. Për disa ditë me radhë ata e kanë bërë të qartë se do të jenë në kuvend në momente të rëndësishme të procesit të integrimit të vendit tonë. Është ende për t’u parë nëse të pesë deputetet socialistë do të hyjnë në seancën më të parë, në Kuvend, pasi në këtë mënyrë ata do të rrezikonin përjashtimin nga Partia Socialiste.

PS-ja, protestë në Vlorë për hapjen e kutive të votimit

Partia Socialiste do të zhvillojë ditën e shtunë protestën e saj të radhës në qytetin e Vlorës. Socialistët, së bashku me partitë e tjera opozitare, të majta dhe të djathta, do të kërkojnë nga Vlora hapjen e kutive të votimit dhe hetimin e zgjedhjeve parlamentare. Kjo do të jetë protesta e fundit, para protestës së madhe që socialistët dhe opozita kanë planifikuar të zhvillojnë në datën 20 nëntor në Tiranë. Deri tani socialistët kanë protestuar në qytetet Tiranë, Berat, Shkodër, Lushnjë dhe Elbasan.

13 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›