Topalli fton opoziten te votoje ne 6 gusht per te hequr imunitetin
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i ka kërkuar opozitës që të votojë më 6 gusht ndryshimet kushtetuese për kufizimin e imunitetit. Në të kundërt, ajo tha se opozita do të mbajë përgjegjësi politike. Zonja Topalli është shprehur e gatshme të thërrasë Konferencën e Kryetarëve, duke filluar nga 7 gushti, për të diskutuar mbi procedurat parlamentare lidhur me kërkesat e paraqitura nga Partia Socialiste për ndryshimet në Kushtetutë.
Zonja Topalli ka bërë këto deklarata pas takimit që pati me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të Mbretërisë së Jordanisë Abdulkarim Al Doghmi, ku është diskutuar mbi thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryeparlamentarja vlerësoi rolin që Jordania ka luajtur për stabilitetin në rajon.
Nga ana e tij, kreu i parlamentit të Jordanisë, ka konsideruar si mbresëlënëse vizitën në Shqipëri. Abdulkarim Al Doghmi tha se pasi të kthehet në atdhe, do të bëjë nxisë bizneset jordaneze për të investuar në Shqipëri.
Kjo është vizita e parë e nivelit më të lartë që një zyrtar jordanez zhvillon në Shqipëri, që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.