Topalli homazhe në Elbasan: Ditë e tmerrshme për shqiptarët
Ditë të tmerrshme për mbarë popullin shqiptar, kështu e ka cilësuar humbjen tragjike të jetëve në aksidentin e Himarës kryeparlamentarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
“Sot të gjithë bashkë u japim lamtumirën këtyre vajzave që në familjet e tyre kanë lënë një dhimbje të madhe. Ëndrrat e tyre mbaruan dje, në emër të Parlamentit u shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve. Ishte një ditë e tmerrshmë dhe e dhimbshme për gjithë popullin tonë”tha ajo.
Ndërkaq personalitete të shumtë politike, pedagoge si dhe qytetarë i janë bashkangjitur homazheve, të cilat vazhdojnë të mbahen në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” në nderim të 13 viktimave që humbën jetën tragjikisht në aksidentin e Himarës.
Kanë bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule pranë fotografive të viktimave Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Ministri i Kulturës Aldo Bumci, Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth, Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Kreu i LSI Ilir Meta, Sekretari i Përgjithshëm i LSI Luan Rama, deputetët e PD-së Gerti Bogdani e Luciano Boci, kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruci, deputetet Valentina Leskaj e Ben Blushi etj.