Arrestohet në Tiranë hedhësi i granatës
PRANGOSJA/ Romeo Rustemi është arrestuar në kryeqytet pas 36 orë kërkimesh nga policia e Vlorës
VLORË- Vihet në pranga në Tiranë autori i hedhjes së një granate në qytetin e Selenicës, çka shkaktoi plagosjen e tre të rinjve mbrëmjen e së premtes. Romeo Rustemi është prangosur në një banesë në kryeqytet disa orë pasi kishte kryer krimin. Sipas burimeve nga blutë e Vlorës bëhet e ditur se Romeo Rustemi është larguar nga vendngjarja bashkë me të afërmin e tij Mikel Harizaj (ende në kërkim) dhe ka lëvizur nga Vlora drejt fshatrave të lidhen me Mallakastrën në këmbë. Më tej me anë të një automjeti dyshohet të ketë lëvizur drejt Tiranës, ku edhe u vu në pranga.
Arrestimi i tij u realizua pas 36 orë ndjekjeje nga ana e policisë. Romeo Rustemi, si dhe dy vëllezërit Mikel e Agim Harizaj ishin mbrëmjen e së premtes në një lokal duke pirë në Selenicë. Në këtë vend ata kanë nisur të grinden me fjalë me një grup tjetër të rinjsh. Pas fjalëve kanë nisur edhe goditjet me grushta çka ka shkaktuar probleme. Më tej duket se dy vëllezërit e Rustemi kanë vendosur që të largohen.
Por në dalje, Romeo Rustemi ka hedhur një granatë çka ka shkaktuar plagosjen e të rinjve Ervis Alushi, Gentian Abazi dhe Edison Ademi. Më pas ata janë larguar nga vendngjarja. Ndërsa tre të rinjtë e plagosur u dërguan në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, në pranga u vu Agim Harizaj. Mëngjesin e së shtunës, policia gjeti të braktisur automjetin e të rinjve, teksa nisi skanimin e zonës. Romeo Rustemi u prangos në Tiranë, kurse Mikel Harizaj është ende në kërkim.