Berisha premton zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri
Në kuadër të turit të tij në qytete të ndryshme të vendit, kryeministri Berisha u ndal dje në Shkozet, ku mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të përfundimit të rikonstruksionit të shkollës së mesme profesionale “Beqir Cela”, më vlerë 14 milionë lekë, si dhe inspektoi punimet për ndërtimin e konviktit të ri të kësaj shkolle. Duke vizituar ambientet e brendshme të shkollës, kabinetin e vizatimit teknik dhe atë të fizikës, kryeministri Berisha u shpreh se “pas hapit të parë, që ishte pajisja e shkollave me kabinete informatike, hapi i dytë do të jetë përhapja e mënyrës së të mësuarit e-learning apo mësimi dixhital”. Në këtë shkollë mësojnë nxënës nga qytete të ndryshme të vendit. Në kuadër të shtimit të numrit të nxënësve që mësojnë në shkollat profesionale, po ndërtohet konvikti i ri i kësaj shkolle, me kapacitet 350 nxënës. “Ka filluar ndërtimi i një konvikti të ri për këtë shkollë profesionale, ndërsa do të rikonstruktohet tërësisht edhe konvikti ekzistues. Kapaciteti i konviktit është 350 nxënës, të cilët do të vijnë këtu jo vetëm nga qarku i Durrësit, por nga mbarë Shqipëria. Ky është një nga shtatë konviktet e reja që janë në ndërtim e sipër. Por, siç kam theksuar, ne do të ndërtojmë aq konvikte sa të ketë nevojë për të plotësuar objektivin që asnjë nxënës, i cili mbaron klasën e 9-të dhe që dëshiron të vazhdojë shkollën e mesme, të mos mbetet pa shkollë për shkak të mungesës së saj në lokalitetin ku ai ndodhet. Kjo është një praktikë jashtëzakonisht e dobishme. Natyrisht kjo është e dobishme edhe për formimin dhe për disiplinimin e nxënësve në të gjitha aspektet. Jeta e konviktorit në qytet përbën avantazhin më të madh për t’iu përkushtuar tërësisht shkollës”, - u shpreh kryeministri Berisha.
15 Prill 2009