E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kërkon takim me trojkën



Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, së bashku dhe me ambasadorët e Trojkës evropiane ishin dje në zyrën e kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli, në një takim të kërkuar nga kryeparlamentarja. Në këtë takim morën pjesë ambasadori i KE-së, Helmuth Lohan, ambasadori i OSBE-së, Robert Bosch, ambasadori suedez si dhe ai spanjoll dhe temat e diskutimit ishin situata politike në vend duke pasur parasysh bojkotin e opozitës dhe situata në sistemin e drejtësisë, ku kanë mbetur pezull zgjedhja e disa anëtarëve të KLD-së për shkak të këtij ngërçi. Sipas burimeve nga takimi ambasadorët u njohën prej rreth një ore në lidhje me situatën e fundit politik, ndërsa Topalli u sqaroi atyre qëndirmin e saj lidhur me çështjen e KLD-së duke iu referuar qëndrimit që bëri publik pak ditë më parë. Ajo i qëndroi deklaratave se gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Pas këtij takimi, në një deklaratë mbajtur për mediat, Withers tha se bojkotit të opozitës i duhet dhënë fund me anë të dialogut. “Pozicioni ynë [lidhur me bojkotin parlamentar është, në fakt, që më e mira do të ishte nëse do të kishte dialog midis aktorëve politikë kryesorë për të arritur një lloj kompromisi që do t’i jepte fund këtij ngërçi. Mendoj se të gjithë ndiejmë që mosprania e opozitës në Parlament nuk është në të mirën e vendit si i tërë”, - deklaroi Withers pas takimit. Ai u shpreh se politika shqiptare duhet të zgjidhë ngërçin politik. “Do të donim të shihnim një zgjidhje të kësaj, por mendoj se është me rëndësi jetësore [që të kuptohet] që kjo është diçka që duhet ta zgjidhë udhëheqja politike shqiptare. Shpresojmë që do të mund ta zgjidhin mes tyre dhe që gjërat të kthehen në rrugën që duhet të jenë”, - tha në fund të fjalës së tij para mediave ambasadori amerikan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›