Heqja e vizave, Basha: Tulla e fundit e Murit të Berlinit
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, e konsideron liberalizimin e vizave me BE-në si tullën e fundit të Murit të Berlinit. Sipas tij, heqja e vizave midis Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, dhe Shqipërisë në veçanti, është tulla e fundit e Murit të Berlinit. Ministri i Brendshëm, z .Lulzim Basha, e bëri këtë deklaratë gjatë kumtesës së tij në seminarin “Rrëzimi i Murit të Berlinit dhe Shqipëria”, organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer” dhe Instituti i Kërkimeve “Alcide De Gasperi”. Gjatë fjalës së tij, ministri Basha solli në vëmendjen e të pranishmëve konstatimin se njëzet vjet më pas, Muri i Berlinit ka rënë në të gjitha dimensionet dhe format e tij në Shqipëri, rreth saj dhe në Ballkanin Perëndimor. Pikërisht në referim të këtij fakti, duke u ndalur tek momenti i heqjes së vizave me Bashkimin Evropian, ministri Basha e cilësoi historik vendimin e Parlamentit Evropian që i kërkoi Komisionit Evropian që Shqipërinë së bashku me Bosnje-Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë, t’i rendisë në listën e bardhë të vendeve “Shengen”, duke kërkuar që konfirmimi përfundimtar për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën të bëhet menjëherë pas konfirmimit të kritereve teknike. “Kjo nismë nuk vjen si surprizë, por si një konstatim i Parlamentit Evropian për progresin që Shqipëria ka bërë nga periudha e fundit e inspektimeve të Komisionit Evropian deri sot”, - deklaroi ministri Basha. Ministri Basha theksoi në fjalën e tij se secili prej sistemeve që zotëron sot Shqipëria, është qartësisht më modern, më i përparuar dhe më efikas se cilido prej sistemeve të pranishme në Ballkanin Perëndimor, i krahasueshëm, madje edhe me disa vlera teknike superiore ndaj sistemeve të praktikuara në zonën “Shengen”. Në këtë aspekt, ministri Basha informoi të pranishmit se mbi çerek milioni shqiptarë kanë tashmë pasaportat biometrike, në të gjitha pikat e kalimit kufitar është instaluar një sistem i kontrollit të kufirit analog me ato të vendeve “Shengen”, brenda dy javësh pritet instalimi i sistemeve analoge të kontrollit të kufirit si dhe veprave kriminale në të gjithë drejtoritë e policisë në vend. Ai shtoi se kontrolli i bregdetit ka kaluar nga një funksion ushtarak në një funksion plotësisht civil, i cili do të përmirësojë dhe do të konsolidojë praktikën e shkëlqyer shqiptare, e cila në katër vitet e fundit arriti të reduktonte mbi 95% trafiqet e paligjshme transadriatike nëpërmjet vijës bregdetare shqiptare.