Katër agjentë amerikanë, në kraterin e Gërdecit
Agjentët amerikanë të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve dhe Eksplozivit, ATF rikthehen përsëri në vendin ku ndodhet krateri i shpërthimit të tragjedisë së Gërdecit. Kur po mbushet një vit nga ngjarja e rëndë, katër agjentë të Byrosë Amerikane të Hetimit, ATF kanë qëndruar dje në Gërdec për mëse tri orë, duke kryer verifikime në kraterin ku ndodhej fabrika e çmontimit të municioneve luftarake. Hetuesit amerikanë shoqëroheshin nga përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme dhe specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë qëndrimit të tyre në rajonin e prekur prej tragjedisë së Gërdecit. Sipas burimeve të konfirmuara, mësohet se “vizita” e agjentëve amerikanë në Gërdec dhe në fshatin ngjitur Marqinet 2, kësaj radhe kishte më tepër karakter vëzhgues sesa hetimor. Agjentët të së njëjës njësi, mbërritën në Tiranë vitin e kaluar pak kohë pas tragjedisë së Gërdecit, dhe për mëse një javë qëndrim në Shqipëri, realizuan ekspertizën shkencore të vendit të ngjarjes. Mbi bazën e provave të mbledhura bashkë me hetuesit shqiptarë, agjentët amerikanë të Byrosë ATF, hartuan një raport i cili u dërgua në Tiranë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Pasi u përkthye në gjuhën shqipe, raporti i agjentëve të ATF-së u administrua në dosjen “Gërdeci” në cilësinë e provës materiale. Sipas raportit që përmban mbi 700 faqe ekspertizë, shpërthimi i Gërdecit ndodhi si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë në fabrikën e demontimit. Në qendër të objektit disa punonjës salduan një prej karrocave që përdorej për transportimin e barutit të dalë nga predhat, ndërsa shkëndijat aktivizuan djegien e barutit që gjendej i hedhur përtokë. Flakët aktivizuan më pas predhat e kalibrave të mëdhenj, të cilat goditën konkenjerët e mbushur me 700 tonë barut që ndodheshin në krahun e djathtë të hyrjes së fabrikës, fare pranë saj. Në këtë moment ka ndodhur edhe shpërthimi i madh, i cili u mori jetën 26 viktimave të pafajshme, plagosi 300 persona dhe dëmtoi rëndë mbi 5 mijë shtëpi në të gjithë zonën. Agjentët amerikanë të ATF-së, të cilët janë angazhuar në SHBA në hetimin e ngjarjeve të rënda siç ishin sulmet terroriste mbi Kullat Binjake, në verifikimin e tyre të fundit në rajonin e Gërdecit janë përqendruar në aspekte të pasojave mjedisore. Për një kohë të gjatë vitin e kaluar Ministria e Mbrojtjes dhe ekspertët e huaj, u përfshinë në debate teknike lidhur me nivelin e ndotjes në rajonin e prekur prej tragjedisë. tr.so
Akuzë Tërshanës, vlerësoi fishekët e Gërdecit
TIRANE – Një ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municioneve që dërgoheshin në Gërdec për demontim, u paraqit së fundi në Prokurorinë e Përgjithshme për shkak se është marrë i pandehur gjatë hetimeve për tragjedinë. Burime zyrtare të hetimit, thanë se Rezar Tershana, ish-anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municioneve, u thirr në Prokurorinë e Përgjithshme për t’i njoftuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës” sipas Kodit Penal Ushtarak. Mësohet se ish-zyrtari, pasi është marrë në cilësinë e të pandehurit është njohur edhe me materialet ku bazohen akuzat e ngritura ndaj tij. Prokuroria pretendon se komisioni ka kryer abuzime në vlerësimin dhe përcaktimin e municioneve që nxirreshin nga depot e ushtrisë për t’u demontuar në Gërdec. Sipas akuzës, abuzimi ka qenë me përzgjedhjen e fishekëve sipas vjetërsisë dhe prodhimit. Me këtë formë abuzive mësohet se shtetit shqiptar i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm ekonomik.