E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Për të luftuar korrupsionin duhet të sakrifikosh pushtetin”

Intervistë/ Flet ish-kryetari i Bashkisë së Xhersi Sitit, Bret Shundler

Shaban Sulçe

Ish-kryetari i Bashkisë së Xhersi Sitit, Bret Shundler, ka vizituar Shqipërinë. Ai ka drejtuar Bashkinë e Xhersi Sitit për 9 vjet me radhë. Gjatë mandatit të tij si kryetar bashkie politikat e ndjekura reduktuan krimin me 40% dhe pati rezultate shumë të suksesshme në luftën kundër korrupsionit. Ai pati vlerësime maksimale nga revista “Tajm”, duke u vlerësuar si “modeli kombëtar për reformë fiskale” për shkak të politikave të tij krijuese gjatë periudhës që shërbente si kryetar i Bashkisë së Xhersi Sitit, në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Shundler ka qenë në Shqipëri, ku ka marrë pjesë në disa takime të ndryshme, për të folur rreth rritjes ekonomike dhe luftës kundër korrupsionit. Në një intervistë për gazetën “Albania” ai tregon se si arriti rezultate të suksesshme në luftën kundër korrupsionit në Bashkinë e Xhersit Sitit, e cila përpara drejtimit nga ana e tij konsiderohej si një prej bashkive më problematike përsa i përket nivelit të korrupsionit. Mënyrat e ndjekura për të luftuar me efikasitet këtë fenomen ai i shpreh në formën e një këshille për klasën politike dhe pushtetarët shqiptarë.

Zoti Shundler, do të deshëm të dinim diçka rreth qëllimit të vizitës suaj në Shqipëri?
Aktualisht jam profesor i Politikave publike në “King’s College” në Nju Jork dhe kam ardhur këtu në kuadrin e një bashkëpunimi me disa universitete kryesore në Shqipëri, ku kemi sjellë disa studentë të kësaj shkolle për të bashkëbiseduar dhe shkëmbyer ide me studentë dhe profesorë shqiptarë. Kemi folur për tema të ndryshme që kanë lidhje me politikën, rritjen ekonomie, fenë dhe ndërthurjen e tyre në ndërtimin e një shoqërie civile. Nuk janë vetëm studentët amerikanë që ndajnë idetë e tyre, por edhe studentët shqiptarë, dhe kjo është një gjë e mirë sepse po mësojnë nga njëri-tjetri. Gjatë kohës që kam qenë këtu në Shqipëri kam pasur rastin që të flas për politikën, rritjen ekonomike, fenë dhe çështjet e antikorrupsionit me studentë, profesorë, politikanë dhe zyrtarë e pushtetarë të zgjedhur këtu në Shqipëri. Kam folur për luftën kundër korrupsionit, për shkak të përvojës sime në këtë drejtim gjatë kohës kur kam qenë kryetar i Bashkisë së Xhersi Sitit.
Cili ka qenë rezultati juaj në drejtim të kësaj bashkie përsa i përket luftës kundër korrupsionit?
Përpara se të merrja drejtimin e Bashkisë së Xhersi Sitit, korrupsioni ishte një problem shumë shqetësues dhe i niveleve të larta. Ne patëm disa suksese të konsiderueshme, duke realizuar disa reforma të suksesshme. E rëndësishme është që reformat që filluam vazhdojnë edhe sot të jenë të suksesshme, edhe tashmë që jam larguar nga drejtimi i Bashkisë. Dhe njerëzit pyesin se si ka mundësi që këto reforma vazhdojnë të jenë të suksesshme edhe tani.
Si e keni luftuar ju korrupsionin? Cilat kanë qenë reformat që keni ndërmarrë?
Angazhimi im në luftën ndaj këtij fenomeni ka lindur përpara se të mendoja për kandidimin tim si kryetar i Bashkisë së Xhersi Sitit. E para gjë që ne bëmë ishte mobilizimi i njerëzve për të kërkuar ndryshim dhe kjo ndodhi përpara se të bënim fushatën politike. Pastaj ishte kërkesa që punonjësit e policisë të bënin punët e tyre, duke dalë dhe kapur kriminelët në rrugë, dhe jo të rrinin në zyra. Ata duhet të bënin punën e tyre.
Gjithashtu ne bashkëpunuam me organizata të ndryshme të shoqërisë civile si dhe me bashkësitë e krishtera në qytet (ku unë isha një anëtar aktiv i tyre) dhe përveç ndihmës për të varfrit dhe të pastrehët, bashkëpunuam për të rritur sensibilizimin te njerëzit për rëndësinë e luftës ndaj korrupsionit. Ne e filluam këtë proces totalisht janë politikës, jashtë partive, duke u shërbyer njerëzve dhe duke përmbushur nevojat e tyre. Këtë e bëmë pa dallim partie, bindjesh, por të shtyrë nga qëllimi për të përmirësuar jetesën e njerëzve. Nuk kisha ndër mend të bëhesha kryebashkiak, por për shkak të dëshirës për të parë ndryshim në jetën e njerëzve dhe për shkak të bashkëpunimit ndërpartiak dhe pa dallime të tjera, u bë e mundur që të konkurroja për pozicionin e kryetarit të Bashkisë. Për shkak të këtij bashkëpunimi ne ishim të suksesshëm. Kisha arritur të njihja njerëz të ndershëm dhe me motive të mëdha. Kjo përbënte një motivim të madh për mua.
Cilat ishin masat e para që morët gjatë drejtimit të Bashkisë së Xhersi Sitit?
Zakonisht ai që merr pushtetin, i ndryshon punonjësit e institucionit që drejton për të punësuar njerëzit e tij. Por unë nuk e bëra një gjë të tillë. Megjithatë ne ua kishim bërë të qartë të gjithë punonjësve se nëse do të kishim raste denoncuese për ryshfet nga ana e tyre, gjithsekush, pa përjashtim, do t’i nënshtrohej hetimit dhe investigimit. Në një rast ne patëm denoncim për një zyrtar për të cilin thuhej se kishte marrë ryshfet dhe e njoftuam menjëherë FBI-në. Edhe pse kjo nuk u vërtetua, u bë e qartë se angazhimi ynë për luftën kundër korrupsionit ishte i vendosur dhe këtë duhet ta kuptonin të gjithë. Në një rast tjetër pati denoncim për një punonjës, i cili ishte miku im. Sërish ne njoftuam FBI-në, u vërtetua ryshfeti dhe ai u dënua. Unë bëra shumë armiq, por mua më interesonte rezultati në luftën kundër korrupsionit.
Pra ju besoni se korrupsioni nuk është një fenomen i pakapërcyeshëm?
Besoj se është një problem i kapërcyeshëm. Njerëzit janë njësoj në të gjithë botën. Ata kanë egoizmin e tyre, por kanë ndërgjegjësim për të mirën. Unë besoj te njerëzit me karakter të fortë dhe tek ata që besojnë në Zot, por duhet edhe një strukturë efikase që dënon ata që thyejnë rregullat.
Pra besimi është një forcë e brendshme që i bën ata që të bëjnë të drejtën, por duhet edhe një sistem i jashtëm që i detyron ata t’i thonë “jo” korrupsionit. Ne vendosëm disa numra telefoni në dispozicion të gjithë atyre që mund të denonconin një rast korrupsioni. Më pas fillonin verifikimet, çështja i kalonte FBI-së, e cila e hetonte çështjen deri në fund. Ky sistem funksionoi dhe shkaktoi një ndryshim pozitiv, të paktën në dy aspekte. Së pari qytetarët e dinin që do t’u dëgjohej fjala dhe mund të denonconin të sigurt se shqetësimi i tyre për ryshfet nuk do të neglizhohej. Nga ana tjetër, kjo shkaktoi edhe një farë presioni te zyrtarët, të cilët e dinin se në rast se do të kërkonin ryshfet, do të denoncoheshin menjëherë.
Shumë njerëz u larguan nga puna, por disa ne i zëvendësuam. Për tre që largoheshin, ne e zëvendësonim me një. Kështu që reduktuam shpenzimet dhe kjo rriti besueshmërinë te njerëzit.
Edhe këtu në Shqipëri kemi numra telefoni për të denoncuar korrupsionin, megjithatë rezultatet nuk janë aspak të kënaqshme për të luftuar këtë fenomen. Mendimi juaj...
Nuk do të reduktohet korrupsioni në rast se nga recepsioni i telefonit nuk përgjigjet njeri, në rast se askush nuk heton për denoncimet që vijnë dhe në rast se nuk punon për t’i çuar rastet deri në fund. Nëse nuk ndodhin këto, atëherë njerëzit do të jenë skeptikë dhe do të refuzojnë të denoncojnë raste korruptive. Kur ju i çoni në gjyq njerëzit që janë afër qeverisë dhe kur ti nuk i punëson njerëzit për arsye politike, në një kulturë që funksionon me makinën politike, në një shoqëri që funksionon sipas politikës shqiptare, t’i ndoshta do ta humbësh një pjesë të mbështetjes tënde si politikan, por me siguri do të fitosh shumë vota me qytetarët që janë të lodhur më korrupsionin.
Nuk është e thënë që çdo politikan papritur të bëhet i ndershëm, por kur një politikan thotë se do ta bëjë një gjë dhe e mban fjalën, atëherë kredibiliteti dhe popullariteti i tij do të rriten. Dhe kjo rrit shumë shanset për rizgjedhjen e tij.
Unë besoj se ka shumë njerëz të ndershëm në Shqipëri dhe besoj se ata duhet të bëjnë përpjekje për t’u zgjedhur. Besoj se ata duhet të marrin zemër, edhe nëse do të humbin një pjesë të mbështetjes politike, sepse do të fitojnë mbështetjen e të gjithë qytetarëve. Mund të jetë e mundur që ata ta humbin zgjedhjen brenda klasës politike, por për një politikan të ndershëm është më mirë që të bëjë të drejtën, sesa të mendojë për të fituar.
Mendoni se duhet edhe shumë vullnet për të luftuar korrupsioni?
Absolutisht që duhet shumë vullnet dhe vendosmëri.
Jeni njohur me rezultatet e qeverisë për të luftuar korrupsionin?
Kam dëgjuar disi. Kam dëgjuar që kanë vendosur numra telefoni ku njerëzit mund të denoncojnë, por kam dëgjuar që telefonat nuk ngrihen. Megjithatë, kam dëgjuar se ka pasur edhe rezultate inkurajuese. Unë gjithashtu besoj se jo të gjithë politikanët janë të korruptuar. Kështu që i inkurajoj këta të fundit, të çfarëdolloj spektri politik që të jenë, për të reflektuar ndershmërinë e tyre në një qeverisje të mirë, të drejtë dhe kundër proceseve korruptive.

4 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›