Topi-Parvanov: “Korridori 8, rëndësi madhore për të dy vendet tona”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Georgi Parvanov, i cili, me ftesë të kryetarit të shtetit po zhvillon një vizitë dyditore zyrtare në vendin tonë. Pas ceremonisë zyrtare të pritjes në Pallatin e Brigadave, dy presidentët zhvilluan një takim disaminutësh kokë më kokë dhe më pas, në krye të delegacioneve respektive, zhvilluan bisedimet bilaterale. Në përfundim të këtij takimi, Presidentët Topi dhe Parvanov dhanë një konferencë për shtyp ku deklaruan se Korridori 8 është i një rëndësie të madhe dhe përfundimi i projektit gjigant do të afronte më shumë vendet e rajonit. "Korridori 8 është shumë i rëndësishëm dhe do të sjellë vetëm efekte pozitive qoftë në lëvizjen e mallrave, infrastrukturën, por edhe në përcjelljen e gazit dhe naftës. Korridori jo vetëm që afron vendet e rajonit, por edhe Shqipërinë me BE-në, duke qenë se Bullgaria është vend anëtar i Unionit”, - tha Presidenti Topi, i cili me këtë rast kërkoi nga Presidenti bullgar Parvanov që të lobojë për realizimin e këtij projekti.
Nga ana e tij, Parvanov konfirmoi se Bullgaria është e gatshme të kontribuojë në lidhje me këtë çështje. “Bullgaria do të vazhdojë të luajë rol edhe në politikën europiane, sigurisht lidhur edhe me këtë çështje edhe pse ajo ka finalizuar nënshkrimin e tri marrëveshjeve të rëndësishme në këtë fushë që janë marrëveshje për korridorin e jugut energjetik, gjithashtu për Burgas–Aleksandropolis dhe gjithashtu marrëveshjen për centralin atomik”, - tha Presidenti Parvanov.
4 Dhjetor 2008