E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, mesazhe të tjera urime nga homologët



Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, vazhdon të marrë mesazhe dhe letra të shumta urimi nga kryetarë të parlamenteve të rajonit, Evropës e më gjerë për rizgjedhjen e saj në krye të Kuvendit të Shqipërisë. Në letrën e tij të urimit, kryetari i Senatit të Çekisë, Premysl Sobotka, i shpreh kryetares së Kuvendit përgëzimet e tij në emër edhe të anëtarëve të Senatit çek. “Më lejoni t’ju uroj sukses në performancën tuaj në detyrat që lidhen me këtë post të lartë e me përgjegjësi. Jam i bindur se marrëdhëniet mes dy institucioneve tona ligjvënëse do të vazhdojnë të rriten në të ardhmen në frymën e miqësisë”, - shkruan kryetari Sobotka. Ndërsa kryetari i Këshillit Kombëtar të Palestinës, Salim Al-Zaanoon, përmes një letre të dërguar, i shpreh kryetares së Kuvendit konsideratat më të larta dhe urimet më të sinqerta për zgjedhjen për herë të dytë në këtë post. “Ky është një tregues që fakton besueshmërinë e lartë që ju gëzoni", - shkruan ai. Një letër urimi i ka ardhur kryetares së Kuvendit edhe nga Unioni i Bashkësive Shqiptare në Kroaci. “Jemi të bindur se Kuvendi i Shqipërisë demokratike nën drejtimin tuaj do t’i realizojë të gjitha synimet nga veprimtaria e tij, për të realizuar qëllimin madhor: anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Ju dëshirojmë sukses në punën tuaj me rëndësi të madhe kombëtare”, - thuhet në këtë letër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›