Gradat madhore, Topi dekreton 5 gjeneralë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje gradat madhore për 5 kolonelë të ushtrisë sonë, propozime këto të sjella nga Ministria e Mbrojtjes. Në faqen zyrtare të Presidencës thuhet se në mbështetje të nenit 92, paragrafi “d” dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Presidenti Topi dekretoi dhënien e gradave madhore për Kolonel Xhemal Gjunkshin, të cilit i jepet grada madhore Gjeneral Brigade, Kolonel Dhori Spirollari, i jepet grada madhore Gjeneral Brigade. Topi dekretoi dhënien e gradës Kundëradmiral për Kapitenin e Rangut I, Kristaq Gërvenji. Edhe për Kolonel Abaz Lleshin, u dha grada madhore Gjeneral Brigade. Propozimi i pestë ishte për Kolonel Sandër Lleshi, i cili u dekretua dhe ai me gradën madhore Gjeneral Brigade. Këto dekrete hyjnë menjëherë në fuqi.