E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi i telefonon Gyl-it: Më 10 dhjetor të pres në Shqipëri



Presidenti turk, Abdullah Gyl, përshpejton vizitën e tij në Shqipëri, e planifikuar në vitin 2010, por që bashkë me homologun shqiptar ka rënë dakord që ta zhvillojë atë në datat 9-10 dhjetor 2009. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një bisedë telefonike të përzemërt e miqësore me Presidentin e Republikës së Turqisë, Abdullah Gyl. Të dy homologët vlerësuan lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe vëllazërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona në të gjitha fushat, diskutuan edhe për situatën në rajonin ballkanik si dhe për përmbushjen e aspiratave integruese të të dy popujve për në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi u interesua për situatën në Turqi, duke shprehur edhe një herë keqardhjen për viktimat dhe të zhdukurit nga përmbytjet e fundit në Stamboll. Ndërsa Presidenti turk, Gyl, nga ana e tij, duke iu përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga Presidenti Topi për të vizituar Shqipërinë, i informoi kreut të shtetit shqiptar që e ka përshpejtuar vizitën e tij të planifikuar në vitin 2010, duke rënë dakord që ta zhvillojë atë në datat 9-10 dhjetor 2009. Presidenti Topi e uroi Presidentin e Turqisë, Abdullah Gyl, dhe nëpërmjet tij, i përcolli mbarë popullit mik turk urimet më të mira e të përzemërta për muajin e Madhërishëm të Ramazanit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›