E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Të largohen delet e zeza nga prokuroria



Të korruptuarit e organit të akuzës, ministri i ri i shtetit Genc Pollo, i quajti dje si dele të zeza, ndaj kërkoi largimin e tyre nga prokuroria. Gjatë një tryeze të organizuar dje nga ambasada amerikane në Tiranë për anti-korrupsionin ku ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të drejtësisë dhe zyrtarë të shtetit, Pollo vuri theksin në prioritetet e qeverisë kundër këtij fenomeni shkatërrues për shoqërinë shqiptare. Ministri i Shtetit, Genc Pollo, shprehu shqetësimin se ka njerëz të korruptuar në administratë dhe gjyqësor, ndërkohë që kërkoi edhe kontroll të brendshëm të institucioneve. “Delet e zeza janë kudo, janë në ekzekutiv, legjislativ, ndaj do të ishte e drejtë që të bënim kontrollin e brendshëm”, - u shpreh z. Pollo, duke theksuar faktin se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në ministrinë e Brendshme, është një shembull mjaft i mirë për këtë. Në konferencën rajonale të luftës kundër korrupsionit numri dy i kësaj ambasade në Shqipëri, Deborah Jones deklaroi se qeveria amerikane do të japë mbështetje për njësitë task-forcë në gjashtë rrethe të vendit në Shqipëri. “SHBA do të mbështesë projektet në efikasitetin e tyre”, - tha Jones. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit vuri në dukje se një pjesë e denoncimeve ndaj zyrtarëve të korruptuar kanë ardhur nga vetë telefonatat dhe të dhënat e qytetarëve, duke i ftuar ata të vazhdojnë të denoncojnë korrupsionin. Lufta ndaj krimit ekonomik dhe korrupsionit mblodhi pikërisht paraditen e djeshme ministrin e ri të Shtetit, drejtorin e përgjithshëm të policisë, kryeprokuroren si dhe këshilltarë ligjorë nga zyra OBDAT dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në këtë konferencë rajonale anti-korrupsion, Genc Pollo, i emëruar ministër i Shtetit, deklaroi se qeveria i ka shpallur luftë këtij fenomeni, duke zhveshur nga imuniteti çdo ministër të kabinetit qeveritar. Prej tri ditësh, në hotel “Tirana” konferenca rajonale anti-korrupsion do të zhvillojë punimet ku të pranishëm do të jenë Prokurori Federal i distriktit jugor të Kalifornisë si dhe gazetarë të cilët kanë investiguar në rastet e denoncimit të korrupsionit në administratën e lartë amerikane. Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi pushimin e çështjes “Mediu”, pasi mandati i rifituar i tij nuk e lejon organin e drejtësisë të vazhdojë procedimin. Vetë Kryeministri Sali Berisha pohoi se asnjë nga deputetët e tij nuk ka imunitet. "Duke mos ndërhyrë në vendimet dhe pavarësinë e gjykatës, si Kryeministër dhe si kryetar i kësaj mazhorance, rikonfirmoj edhe një herë qëndrimin tim të prerë se për qeverinë time dhe deputetët e mazhorancës nuk ka dhe nuk do të ketë imunitet, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lloj pengese për institucionet e akuzës dhe organet gjyqësore për hetimin dhe penalizimin e deputetëve apo ministrave", - është shprehur dy ditë më parë z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›