E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Sot votohet qeveria “Berisha 2”



Qeveria “Berisha 2” sot kalon provën e Parlamentit. Pas dekretimit të 15 ministrave të kabinetit të ri nga Presidenti i Republikës, qeveria e re do të votohet sot në orën 18:00 në Parlament. Vendimi është marrë pas një marrëveshjeje mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministrit, Sali Berisha. Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë është lajmëruar seanca e radhës, në të cilën do të miratohet programi politik i qeverisë për 4 vitet e ardhshme dhe përbërja e kabinetit. "Bazuar në nenin 110, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në të cilin thuhet: "Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin", njoftojmë se kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin e Shqipërisë kanë vendosur mbledhjen e Parlamentit në seancë plenare ditën e mërkurë, datë 16 shtator 2009 ora 18:00", - thuhet në njoftimin zyrtar. Rregullorja parlamentare dhe konkretisht neni 110 i saj përcakton procedurat që ndiqen nga Kuvendi për miratimin e programit dhe kabinetit të ri qeverisës. Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin. Programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Pas paraqitjes së programit, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin. Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave. Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta. Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj rregulloreje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›